E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili ironizon Berishën për fushatën me SMS-të: “Përgjigjen e shqiptarëve do ta marrësh më 28 qershor”



Lëvizja Socialiste për Integrim ka ironizuar iniciativën më të fundit të kryeministrit Berisha, i cili me anë të mesazheve telefonike u kërkon mendime shqiptarëve për prioritetet që do të ketë qeveria e tij në rast të fitores në katër vitet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se kryeministri Berisha më parë duhet të përgjigjet për ato probleme të shumta që u ka shkaktuar dhe po u shkakton shqiptarëve. Ai tha se kryeministri Berisha do ta marrë përgjigjen nga shqiptarët më 28 qershor, të cilët do të votojnë masivisht për largimin e tij nga politika. “Meqë Berisha na i dhunoi celularët tanë, publikisht po i japim mendimin tonë meqë na e ka kërkuar. Sa i takon krimit ai ka shkuar aq larg, sa po sulmon tani edhe banesat e qytetarëve. Sa i takon korrupsionit, arritja më e madhe e korrupsionit ka qenë Gërdeci dhe Berisha le të krenohet me të. Sa i takon rrugëve, mijërat e kilometrave janë vetëm në fantazinë e Berishës, ndërsa në realitet ato janë vetëm shirita të prerë rrugësh, të pafilluara kurrë, janë qindra e qindra fshatra që dergjen pa rrugë, në baltë e pluhur. Sa i takon ujësjellësve, edhe ata janë inauguruar vërtet, por ujë qytetarët dhe fermerët nuk marrin asnjë pikë dhe për ujë digjet edhe qendra e Tiranës. Po ia themi hapur dhe publikisht kryeministrit se më 28 qershor përgjigjja për këto mesazhe të tij do të jetë shumë e fortë dhe e qartë me votën e qindra e mijëra shqiptarëve, prandaj e këshillojmë të mos shpenzojë më para nga taksat e shqiptarëve për mesazhe të tilla humbëse”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

LSI-ja reagon ndaj dhunimit të protestuesve të verbër

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dënuar aktin e dhunimit të protestuesve të verbër pranë selisë së Kryeministrisë. Zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni, tha se LSI-ja është e indinjuar ndaj dhunimit të këtyre protestuesve, duke shprehur mbështetjen e LSI-së ndaj kësaj shtrese në nevojë. “Sot ne duam të shprehim mbështetjen tonë të plotë për këtë kategori në nevojë dhe jemi tejet të shqetësuar që shteti jo vetëm që nuk denjon të takohet me qytetarët e tij, por ai as nuk kujdeset për sigurinë e tyre kur ata kërkojnë të drejtat e mohuara. Ndërsa një prej kategorive më në nevojë të shoqërisë sonë kërkonte t’u dëgjoheshin kërkesat e tyre financiare, të drejtën për strehim si dhe heqjen e disa taksave rënduese, shteti u përgjigjet atyre me dhunë. Akoma më shqetësues është fakti që Garda pranë Kryeministrisë as që tentoi ta frenonte shkaktarin e kësaj dhune. Lëvizja Socialiste për Integrim u kërkon autoriteteve të qeverisë shqiptare të vënë menjëherë para drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe të mos bëhen pjesë e dhunës së ushtruar në ambientet e Kryeministrisë”, - tha Gjoni.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›