E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: Qytetarët të mos bllokojnë rrugët, përbën vepër penale

Pas rrugës së ndjekur nga socialistët për përshkallëzimin e protestës së tyre, Ministria e Brendshme, tha se gjatë ditës së sotme, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht, për rreth 4-10 minuta, rrugët në akset kryesore të qyteteve. Në një deklaratë për shtyp, bëhet e ditur se Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. Në kuadër të këtyre masave dhe në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë së Shtetit i bënë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet”. “Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme në të gjitha qarqet e sipërcituara dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit””, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›