Ministria e Bujqësisë inspekton infrastrukturën e kullimit në Shkodër
Fill pas uljes së nivelit të ujit në lumin Bunë dhe në zonat e përmbytura stafet teknike të MBUMK-se dhe Bordit të Kullimit Shkodër kanë inspektuar të gjithë infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja për evidentimin e dëmtimeve dhe marrjen e masave për rikthimin në gjendjen e mëparshme. Nga inspektimi teknik, kanë rezultuar dëmtime të pjesshme në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrishte, Daragjat si dhe është dëmtuar argjinatura
e Çasit me pasojë përmbytjen e hidrovorit të Çasit. Gjithashtu ka filluar riparimi i argjinaturës së Çasit në segmentin më të dëmtuar të saj në rreth 500 metër për bllokimin e shpejtë të kalimit të ujit nga këneta e Domnit në tokën bujqësore të Çasit. Kjo do të mundësojë edhe futjen në punë të hidrovorit të Çasit. Vlera e kësaj ndërhyrjeje është rreth 20 milionë lekë. Po punohet në hidrovorin e Çasit, për pastrimin e tij dhe sjelljen në kushte teknike të pajisjeve elektrike dhe elektropompave.Vlera e punimeve për hidrovorin e Çasit është 3 milionë lekë. Gjithashtu po shikohet mundësia e instalimit të disa motopompave me kapacitet të madh tek hidrovori i Çasit, për të mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave, që kanë përmbytur 1500 ha tokë bujqësore.