E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Shqiptarët e burgosur në Belgjikë do të transferohen

TIRANE - Të burgosurit shqiptarë që ndodhen në Belgjikë do të transferohen në Shqipëri për të vuajtur dënimet, që kanë marrë për vepra të kryera në shtetin belg. 

Kjo ishte një nga pikat e takimit që pati dje ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Karel de Gucht, i cili ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në Forumin e Kras Montanës. Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë pohojnë se, tema e bisedimeve mes dy ministrave ishte ecuria e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë. Ndërsa dy ministrat u ndalën më gjatë në diskutime rreth hapjes së negociatave për nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe në fushën e bashkëpunimit të ndërsjellët gjyqësor, lidhur me transferimin e të dënuarve. Gjatë takimit të djeshëm ministri i Jashtëm belg shoqërohej edhe nga këshilltari diplomatik i ministrit të Drejtësisë, Marc Van den Reeck, si dhe këshilltari i ministrit të Brendshëm, Karl Vandenbossche. Ministri Alibeaj i shprehu delegacionit belg vendosmërinë e palës shqiptare për të arritur një marrëveshje të tillë sa më shpejt, me qëllim sjelljen e të dënuarve shqiptarë, të cilët janë dënuar dhe vuajnë dënimin në këtë shtet. Alibeaj pohoi se, transferimi do të bëhet paralelisht me krijimin e kushteve të duhura për trajtimin e tyre sipas standardeve. Ndërkohë është fakt që në Shqipëri burgjet vuajnë nga mbipopullimi, i cili në mjaft raste ka qenë edhe sa dyfishi i kapaciteteve të ofruara. Pas diskutimeve palët ranë dakord për të nënshkruar në një kohë të afërt një "Memorandum Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës".                                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›