E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretaret, Alibeaj sherr me gjyqtarët

Në gjyqësorin shqiptar ka nisur konflikti i radhës. Palët këtë herë janë ministri i Drejtësisë dhe gjyqtarët kryeqytetas, ndërsa shkak është bërë urdhri i Enkelejd Alibeaj për sekretaret gjyqësore. 

Fatos Mahmutaj

 Ajo çfarë nisi pak ditë më parë, me akuza të ministrit ndaj togave të zeza, kulmoi dje me një vizitë të ministrit në Gjykatën e Tiranës ku për rreth dy orë u përfshi në një debat me tone të ashpra me ish-kolegët e vet gjykatës, të cilët e kishin kërkuar nëpërmjet anëtares së KLD-së, Altina Xhoxhaj. Rreth orës 08:30 të mëngjesit, të djeshëm ministri Alibeaj u paraqit në Gjykatën e Tiranës i vetëm, madje edhe makinës i jepte vetë. Sapo hyri në sallën e mbledhjeve të gjykatës Alibeaj u përball me reagimin e ashpër të gjykatësve. Të irrituar togat e zeza të kryeqytetit i bënë me dije ministrit se, një ditë më parë një gjyqtare në këtë institucion nuk kishte pranuar të firmoste procesverbalet gjyqësorë, pasi sekretarja i kishte mbajtur ato sipas modelit të kërkuar nga ministri duke i nisur me orën kur ka nisur seanca dhe orën kur ka përfunduar. Përballë këtij fakti Alibeaj mbajti qëndrim mohues, duke pretenduar se nuk u ka dhënë urdhër sekretareve që të ndërhyjnë në procesverbalet gjyqësore. Një gjyqtare që e mori fjalën i paraqiti si shqetësim ministrit raportin e detajuar për seancat gjyqësore që sekretaret duhet të mbanin çdo ditë për t'ia dërguar të printuar ministrit, çka ai fare mirë mund ta gjente në ueb-siten e gjykatës. Sipas gjyqtares kjo përkthehej në humbje të besueshmërisë së ministrit ndaj Gjykatës së Tiranës. Ndërsa Alibeaj u përgjigj: "Po ju nuk jeni të besueshëm". Pas kësaj gjyqtarët e akuzuan ministrin se ushtronte presione nëpërmjet pushtetit për t'i bërë sekretaret bashkëpunëtore të tij. Debati mori përmasa kur gjykatësit e akuzuan ministrin se kishte tendencë negative dhe mllef përgjithësisht ndaj gjyqësorit dhe Gjykatës së Tiranës në veçanti, pjesë e së cilës ai ka qenë edhe vetë. Gjyqtari Artan Broci e pyeti ministrin nëse i kishte kërkuar ndonjëherë para gjatë kohës që ky ushtronte profesionin e avokatit në kryeqytet. Alibeja u përgjigj: "Jo". Pas kësaj Broci i tha se ministri kur të bënte deklarata për gjyqësorin e korruptuar, të përjashtonte këtë gjykatës duke i shtuar frazës "gjyqësor i korruptuar" që është bërë refren për politikën, "veç gjyqtarit Artan Broci". Gjatë debatit të ashpër ministri nuk kurseu ndaj gjyqtarëve edhe deklarata të tilla si: "Ju nuk jeni burra, por frikacakë", ç'ka shkaktoi irritim, ndërkohë gjyqtarët i kërkuan edhe shpjegime ministrit duke konsideruar si thirrje indirekte të tij deklaratën e pak javëve më parë: "Padrejtësia juaj bën që qytetarët të rrëmbejnë armët kundër gjyqtarëve". Gjatë debatit midis ministrit pati edhe momente kur dilej nga tema dhe biseda humbte seriozitetin. Të paktën në një moment, ministri, në vazhdën e debatit të nxehtë pohoi se sekretaret mund të vinin në punë të veshura edhe me bikini, ndërsa u kundërshtua nga gjyqtarët, të cilët i thanë se në zyrën e tyre nuk mund të hynte kurrë një sekretare e veshur në këtë mënyrë. Në fund pas më tepër se dy orësh debat ministri u largua duke pohuar se, gjithsesi sekretaret e gjykatës do të veprojnë sipas urdhrit që ai ka dhënë. Kurse gjyqtarët i kërkuan atij një përballje midis tyre dhe KLD-së.

Ministri sulmon edhe Gjykatën e Lartë
Gjatë debatit të djeshëm në Gjykatën e Tiranës pati një moment kur ministri Alibeaj, të cilit gjyqtarët i përmendën disa vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë, shpërtheu duke thënë se: "Gjykata e Lartë është gjykata më e paaftë në vend". Ndërsa në lidhje me urdhrin për sekretarët, gjyqtarët i kërkuan ta dërgonte me shkrim atë në mënyrë që të kishin mundësi ta ankimonin në Gjykatën Kushtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›