Vokshi, drejt kreut të Lidhjes Demokratike të Gruas
Këshilltarja e Kryeministrit Berisha, znj. Albana Vokshi, është kandidatura më favorite për kreun e Lidhjes Demokratike të Gruas. Ky forum drejtohet nga Marjeta Zaçe, aktualisht zëvendësministre e Punës dhe Çështjeve Sociale, së cilës i ka përfunduar mandati si kryetare e LDGSH-së. Vokshi është zgjedhur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, koordinatore kombëtare e fushatës së Gruas. Znj. Vokshi ka punuar për një kohë të gjatë këshilltare e Kryeministrit për çështje të cilat kanë të bëjnë me koordinimin e ndihmës së huaj, si dhe drejtore e Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Këshillin e Ministrave. Detyrat kryesore të saj në krye të këtij departamenti kanë qenë: koordinimi i Sistemit të Planifikimit të Integruar; hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 si dhe koordinimin e ndihmës së huaj. Znj.Vokshi ka një përvojë të pasur pune edhe në organizmat ndërkombëtarë, si USAID, OKB në Kosovë dhe në Afganistan, si dhe me FMN-në, në Uashington DC në Departamentin Kërkimor të Makroekonomisë dhe Përpunimin të të Dhënave si dhe Analizave. Znj.Vokshi ka një diplomë Master në Administrimin Publik të fokusuar në politikën ekonomike në Shkollën e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork.