Vendosja e kasave fiskale, tenderi më 15 mars
Projekti i shumëdiskutuar për vendosjen e kasave regjistruese (pajisjet fiskale) pritet të konkretizohet në muajin mars. Ministria e Financave ka përgatitur të gjitha procedurat, duke ftuar subjektet që do të autorizohen më pas për vendosjen dhe mbikëqyrjen e kasave regjistruese për të trija kategoritë e biznesit. Ofertat për sasinë dhe çmimin e tyre do të hapen më 15 mars 2008, pranë ministrisë. Shumë prej bizneseve shprehen pesimistë për zbatimin e këtij projekti, duke e lidhur më së shumti me mungesën e energjisë elektrike, burimi kryesor për përdorimin e pajisjes, e cila regjistron të gjitha shitjet e bëra nga subjektet e vogla, të mëdha dhe ato VIP. Vendosja e kasave regjistruese, sipas ligjit "Për procedurat tatimore", duhet të kishte nisur që në janar të këtij viti, fillimisht në Tiranë dhe Durrës, për t’u shtrirë më tej në qytetet e tjera brenda verës 2009.
28 Shkurt 2008