Privatizimi i KESH-it, miratohet ligji për sistemin e shpërndarjes
OSSH-ja është sistemi që mbledh aktualisht të gjitha të ardhurat në KESH. Pas privatizimit, pronë e shtetit mbeten vetëm linjat e transmetimit të energjisë
Ervin Koçi
Qeveria ka miratuar dje ligjin për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë, aktualisht e menaxhuar nga KESH-i. Këshilli i Ministrave, pasi ka diskutuar këtë propozim të bërë nga Ministria e Ekonomisë, ka miratuar në mbledhjen e saj të djeshme projektligjin "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes". Ky ligj, të cilin kryeministri Berisha e veçoi të një rëndësie të veçantë, ka të bëjë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KESH-it, i cili do të nisë nga privatizimi i pjesshëm deri në një privatizim të tij total. Ky privatizim i hap rrugën në të njëjtën kohë edhe privatizimeve të tjera të sektorëve strategjikë jo vetëm të KESH-it, por edhe të gjigantëve të tjerë të ekonomisë shqiptare. Duke theksuar se viti 2008 do të jetë viti i privatizimeve të mëdha, kryeministri Berisha informoi se procesi për privatizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike është realizuar me angazhimin për një periudhë 18-mujore edhe të donatorit kryesor të KESH-it, Bankës Botërore.
Formula e privatizimit
Kryeministri Berisha vlerësoi punën voluminoze dhe intensive për hartimin e një programi të ngjeshur të etapave të këtij procesi dhe theksoi se hartimi i këtij ligji dhe transparenca e plotë e këtij procesi janë një domosdoshmëri. Duke vlerësuar, ndër të tjera, edhe punën serioze të bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, kryeministri Berisha u shpreh: “Formula e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, që do të dërgohet në parlament për miratim, është gjykuar më e përshtatshmja edhe nga konsulentët ndërkombëtarë, ndër variantet e paraqitura”. Kryeministri Berisha tha gjithashtu se, “për realizimin e këtij plani edhe qeveria ka gati formulën e saj të privatizimit”. Sistemi i shpërndarjes së energjisë është sistemi që mbledh aktualisht të gjitha të ardhurat në KESH. Sipas shefit të qeverisë, pas këtij privatizimi pronë e shtetit shqiptar do të mbeten linjat e transmetimit të energjisë elektrike. Berisha e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm këtë vendim të qeverisë, që, sipas tij, “do ta ndryshojë dhe përmirësojë situatën financiare në KESH”.
Privatizimet e strategjikëve
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ARMO dhe Instituti i Sigurimeve (INSIG) do të jenë kompanitë shtetërore që këtë vit do të privatizohen. Kjo është deklaruar nga kryeministri Berisha gjatë njërës prej mbledhjeve të mëparshme të qeverisë. Kreu i qeverisë e vlerësoi vitin 2008 si vit të privatizimeve, ndërsa i shtoi kësaj liste edhe privatizimin e shërbimit të kolaudimit të makinave. Duke theksuar se realizimi i investimeve kërkon përqendrim edhe më të madh të institucioneve, kryeministri bëri të ditur se Ministria e Financave do të vendosë standarde të reja lidhur me procedimin për realizimin e investimeve. “Këto standarde synojnë t’ju ndihmojnë dhe mobilizojnë në mënyrë që të ketë një realizim të investimeve publike të shpërndarë mirë gjatë vitit”, - tha Berisha.
28 Shkurt 2008