Qeveria u vendos rregulla për cilësinë e naftës kompanive shqiptare
Në mbledhjen e saj më të fundit qeveria ka vendosur regulla të reja për tregëtimin dhe cilësinë e naftës vendase, të prodhuar nga kompanitë private që veprojnë në Shqipëri. Këshilli i Ministrave i vendosi këto regula në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.8897, datë 16.5.2002, “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, me propozimin e ministrave të Mjedisit, dhe të Ekonomisë. Në bazë të këtyre rregullave lënda djegëse diezel, e cila në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin “27101941”, e që plotëson kërkesat e standardit shqiptar “S SH EN 590” ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, e prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, do të lejohet të tregtohet sipas kushteve të përcaktuara, si më poshtë vijon: a) Nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 për qind m/m. b) Nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 për qind m/m. c) Nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar “S SH EN 590” ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të. Nëse pas afateve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, vërehet tregtimi i lëndës djegëse diezel, me cilësi që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, lënda djegëse sekuestrohet dhe dërgohet në destinacionin e përcaktuar nga Inspektorati Qendror Teknik. Ky i fundit ngarkohet për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi.
Shkurt////////////////////////////////////////////
Aksidentet në punë, qeveria i vë kusht minierave të sigurojnë punonjësit
Punonjësit e minierave tashmë do të jenë të siguruar për punë që kryejnë nën tokë. Nëse zotëruesit e minierave nuk do t’a kryejnë një proces të tillë, ata nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Qeveria, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u ka vënë kusht minierave që të sigurojnë punonjësit nga aksidentet në punë. Sipas vendimit të qeverisë, personat, që zotërojnë leje për të ushtruar veprimtari minerare brenda territorit të vendit, janë të detyruar të kryejnë sigurimin e punonjësve të tyre nga aksidentet personale në punë, sipas një kontrate, pranë një shoqërie sigurimi. Kontrata e sigurimit të punonjësve nga aksidentet personale në punë duhet të mbulojë rastet e: humbjes së jetës; paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme; paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme. Shuma që duhet të paguaj zotëruesi i minierës për çdo punonjës të siguruar, e përcaktuar në formularin e kontratës së sigurimit, nuk mund të jetë më e ulët se 6 milionë lekë.
Arkitektura, shpallen rezultatet e 305 kandidatëve konkurues
Dega e Arkitekturës pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ka afishuar dje rezultatet e konkursit për 305 kandidatët për studentë. Andrea Maliqari, dekan i Fakultetit të Arkitekturës, sqaron se rezultatet e arritura nga studentët do të llogariten në masën 35 përqind provimet e Maturës Shtetërore, ndërsa rezultatet e konkursit përbëjnë 65 përqind të pikëve. Në degën e Arkitekturës, për vitin e ri akademik do të pranohen 100 studentë, nga 1790 që është numri total i kuotave në degët e Universitetit Politeknik për këtë vit.
ISKSH: “Sëmundshmëria kronike, po rritet me dy për qind çdo muaj”
Sëmundshmëria kronike, e cila ndiqet çdo muaj nga mjekët e familjes, rezulton me një rritje mesatarisht me 2 për qind çdo muaj. Ky rezultat bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Drejtoria e Mjekut në ISKSH analizon çdo muaj rritjen që pëson çdo recetë me rimbursim nëpërmjet rasteve te reja të sëmundshmërisë kronike. Në studimin e sëmundshmërisë kronike merret në konsideratë sëmundshmëria kronike e depistuar (detyrë profesionale që mjekët e familjes kryejnë sapo regjistrojnë banorët e tyre e në vazhdim), si dhe sëmundshmëria kronike që trajtohet me recetë me rimbursim.
31 Korrik 2008