E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimet, drejtësia merr 50 % të fondit

TIRANË- Pasuritë e sekuestruara nga zbatimi i ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" ose siç quhet rëndom "antimafia" do të përdoren në kuadër të luftës ndaj veprimtarive kriminale dhe trajnimin e organeve përgjegjëse. Ligji parashikon përdorimin e 50 për qind të fondit të krijuar nga zbatimi i tij përgjatë viteve 2009-2010 për këtë qëllim, ndërkohë që krahas organeve qëndrore, nga këto para do të përfitojnë edhe komunat apo bashkitë në të cilat ndodhen pasuritë e sekuestruara.
Konkretisht, ligji parashikon përdorimin e këtyre fondeve për përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale, zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve bashkëpunëtorëve të drejtësisë, dhënien e ndihmës ndaj viktimave të krimit të organizuar. Madje, nga këto para do të përfitojnë edhe organizatat jofitimprurëse që kanë objekt të punës së tyre rehabilitimin e shtresave që janë të rrezikuara nga krimi.
Duke i dhënë të drejtën organeve qëndrore të drejtësisë por edhe pushtetit lokal për përfitimin nga pasuritë e sekuestruara, ligji e ndalon kategorikisht përdorimin e fondeve për shpërblimin punonjësve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›