E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durrësit dyfishon gatishmërinë dhe shërbimin

15/12/2010  Ministri Sokol Olldashi në Durrës për ditën e parë të lëvizjes së lirë

DURRES- Është përforcuar si rrallëherë gatishmëria dhe shërbimi ndaj qytetarëve që hynë e dalin në portin e Durrësit në linjat me tragete. Autoritetet portuale e policore në Durrës janë përqendruar tërësisht në kryerjen e të gjitha procedurave ligjore në kuadër të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë për në vendet e zonës Shengen.

Lëvizja e lirë

Në ora 00:00 të datës 15 dhjetor çdo shtetas shqiptar që ka në dorë pasaportë biometrike dhe që nuk është person me precedent penal në Shqipëri apo në vendet ë tjera është plotësisht i lirë të qarkullojë në Evropë për të parën herë në 100 vitet e fundit. Fillimisht është organizuar takim me krerët kryesorë të portit, doganës, policisë kufitare dhe kapitanerisë, ndërsa vetëm disa orë para se të nisë “dyndja”, në Durrës ka mbërritur edhe ministri Sokol Olldashi. Shefi i komisariatit të portit në Durrës, Roland Pelushi, në raportimet e tij para ministrit Olldashi ka theksuar se është krijuar e gjithë infrastruktura e domosdoshme për të krijuar liri në lëvizjen qytetare drejt Evropës. “Hyrja dhe dalja e pasagjerëve është duke u kryer në dy linja, në njërën është vendkalimi i pasagjerëve që janë pa automjete, ndërsa në tjetrën janë kabinat e ndërtuara për pasagjerët që hyjnë dhe dalin me mjetet e tyre”,-ka thënë komisar Pelushi. Në të dyja linjat janë instaluar infrastruktura e nevojshme për funksionimin e sistemit TIMS, kontrollet me skaner, kontrollet antidrogë për bagazhet dhe mjetet etj. Që nga mëngjesi i djeshëm shqiptarët kanë mundësi të vizitojnë dhe të qëndrojnë deri në tre muaj në 28 shteteve evropiane. Shqiptarët me të këtë rast mund të udhëtojnë drejt 25 vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe drejt Islandës, Norvegjisë dhe Zvicrës. Vendet që tashmë nuk kërkojnë vizë janë: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër. Në portin e Durrësit nisja e trageteve bëhet në orën 23.00-23.30. Drejtori i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu, është shprehur se “porti i Durrësit është i mirëorganizuar për të pritur një numër akoma më të madh pasagjerësh sesa ai që vjen normalisht në ditë të zakonshme”. Porti, policia dhe dogana kanë qartësuar se çdo veprim është koordinuar dhe se udhëtarët do të ndihet tërësisht të lirë e të qetë në lundrimet e tyre drejt brigjeve italiane. Kontrollet e pasagjerëve që zbresin pa mjete me ata që janë me mjete janë të ndara, ndërsa Forca e Sigurisë Portuale kanë pohuar se do të garantojnë sigurinë në port. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka qenë dje në Durrës për tu konsultuar me autoritetet kryesore që do të mbikëqyrnin të gjithë procesin e lëvizjes së lirë qytetare. Numri një i kësaj ministrie është shprehur se “procesi i liberalizimit të vizave ka kërkuar sakrifica të jashtëzakonshme”. Policia e kufirit ka bërë të ditur se nga 12 sportele janë vënë në gjendje pune 22 të tilla, ndërsa kontrolli i automjeteve dhe bagazheve do të kalojë përmes një procesi skanimi efikas. Sipas të dhënave, të cilat janë marrë nga agjencitë e udhëtimeve në portin e Durrësit pritet që të ketë një fluks në rritje të ndjeshme për udhëtime drejt brigjeve italiane në kuadër të liberalizimit të vizave. Ndonëse nuk ka ndonjë statistikë zyrtare thuhet se në fundjavë do të regjistrohet edhe fluksi më i madh në dalje. Agjencitë e lundrimeve kanë shtuar numrin e prekjeve në brigjet e Durrësit të trageteve, ndërkohë që porti, policia e dogana kanë dyfishuar gatishmërinë. Sipas autoriteteve parashikohet që të rritet me 30 për qind numri i udhëtarëve në dalje nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Barit, Brindisit e Triestes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›