E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave nxjerr në shitje me ulje 8 objekte, ankandi më 29 prill



Ministria e Financave ka nxjerrë në shitje 8 objekte dhe ndërmarrje në mbarë vendin, të cilat do të dalin në ankand në datën 29 prill. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike ka bërë edhe vlerësimin e tyre si dhe ka bërë gati procedurën e ankandit si dhe dokumentacionit që kërkohet. Dokumentacioni i kërkuar duhet të paraqitet brenda datës së ankandit. Objektet që do të dalin në ankand, janë ndërtesa numër 5 në fabrikën e gomës dhe metalit në Durrës që administrohet nga “Goma Sh.a, një mensë plus kuzhinë njëkatëshe në Fier, që administrohet nga Uzina e Plehrave Azotike, një pajisje dixhitale Dixhiccol-5300 dhe një Tank Taylor-Wharton me kapacitet 400 litra, që administrohen nga Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore, dy automjete tip furgon “Wolksvagen” me targa SH 4474 C dhe tip “Benz” me targa SH 6560 D, që administrohen nga Trajtimi i Studentëve në Shkodër, depoja e gazit të lëngshëm që administrohet nga ARMO në Fier, si dhe një magazinë karburantesh që administrohet nga Ndërmarrja e Prodhimit të Çeliqeve në Elbasan.
Dokumentacioni
Çdo person fizik apo juridik si dhe ish-pronarët e truallit të interesuar për të blerë objekte. duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të ankandit, pra në orën 10:00 të mëngjesit në datën 29 prill. Së pari, çdo i interesuar duhet të paraqesë kërkesën me shkrim për blerjen e objektit, garancinë bankare ose mandat pagese në origjinal, që vërteton ngurtësimin prej 20 për qind të vlerës totale të objektit. Ngurtësimi duhet të bëhet në “Raiffeisen Bank” të çdo rrethi, për llogari të Ministrisë së Financave nr.0104030780, detyrimisht brenda afatit të pranimit të kërkesave. Për ish-pronarët e truallit së bashku me garancinë bankare prej 20 përqindësh të vlerës së fillimit të ankandit dhe kërkesën për blerjen e objektit që shtrihet mbi tokën, ish-pronë e tij, duhet të paraqesë vendimin përkatës të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe çdo dokument tjetër ligjor, të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të shoqëruar me gen-planet, plan-vendosjet dhe hartën treguese që përcakton se ai është pronar i tokës. Kërkuesi për blerjen e objektit duhet të paraqesin para komisionit të ankandit dokumentin e identifikimit si letërnjoftimin, certifikatën e gjendjes civile ose me prokurë të veçantë përfaqësimi. Pjesëmarrësi në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhëne asnjë ofertë mbi vlerën e objektit të shpallur për shitje, i konfiskohet 20 për qind e garancisë bankare të ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand.
Procedura
Sipas vendimit të qeverisë, privatizimi ose shitja e objekteve dhe i truallit të tyre, makinerive, pajisjeve do të bëhet me lekë. Në rast se brenda këtij afati kohor ish-pronari nuk paraqitet, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike bën një njoftim të dytë në një afat prej 30 ditësh në dy gazeta me qarkullim kombëtar dhe njoftohet pronari. Nëse edhe pas këtij njoftimi nuk paraqitet pronari i truallit për blerjen e objektit, atëherë realizohet shitja me ankand e objektit dhe e truallit, sipas procedurave të këtij vendimi. Vlera e truallit, e përcaktuar në dosjen e vlerësimit, do të derdhet në llogari të AKKP-së për të kompensuar pronarin. Për rastet kur komisioni i ankandit ka vështirësi në vlerësimin e dokumentacionit të pronësisë të paraqitur nga pronari i truallit, atëherë komisioni i ankandit cakton një datë tjetër për zhvillimin e tij brenda ditëve nga data e mëparshme, me qëllim që të vlerësojë dokumentacionin e pronësisë.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›