E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave pranon dështimin në investimet publike

Shkak, performanca e dobët e pushtetit lokal në mbledhjen e taksave. Niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit arriti në 63.6 miliardë lekë

Ervin Koçi

Ministria e Financave ka akuzuar bashkitë dhe komunat për mungesë eficence në mbledhjen e taksave të biznesit të vogël. Sipas kreut të këtij dikasteri, Ridvan Bode, performanca e pushtetit lokal në mbledhjen e të ardhurave është përkeqësuar, me një rënie prej 35 për qind në tre vitet e fundit. Sipas ministrit Bode, mosmbledhja e taksave të biznesit të vogël nga bashkitë dhe komunat vë në pikëpyetje edhe kalimin e taksave të tjera nën menaxhimin e pushtetit vendor. Kreu i Financave ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë vërejtur vonesa edhe në realizimin e investimeve publike. Sipas tij, ky është një fenomen që përsëritet çdo fillim viti dhe ndodh për shkak të procesit të tenderimit. Bode ka garantuar se këtë vit investimet publike do të realizohen brenda afateve të parashikuara, edhe pse buxheti 2008 është më i madhi i zbatuar ndonjëherë, me 106 miliardë lekë investime vetëm në infrastrukturën rrugore.

Pushteti vendor

Të ardhurat e administruara nga pushteti vendor për tremujorin e parë të vitit kanë pasur rënie. “Ajo që është për t’u theksuar dhe për të cilën unë do të bëja një thirrje ka të bëjë me të ardhurat nga pushteti lokal, të cilat kanë një ritmikë tërësisht negative, me një rënie të përvitshme",- tha ministri Bode. Ai shtoi më tej se këto të ardhura jo vetëm që janë më pak në krahasim me vitin 2006, kur niveli i taksave vendore ka qenë i njëjtë me taksat aktuale të pushtetit vendor, por ka një rënie edhe në krahasim me vitin 2007. “Niveli i të ardhurave nga pushteti lokal, është 2.4 miliardë lekë në tremujorin e parë të 2008, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2007 ka qenë 2.7 miliardë lekë, në tremujorin e parë të 2006-s ka qenë 3 miliardë lekë dhe në tremujorin e parë të 2005-s ka qenë 3.4 miliardë lekë”, - tha kreu i Financave. Sipas tij, rënia e performancës në arkëtimin e kësaj takse sigurisht që përbën një problematikë. “Kjo nuk lidhet me riskun që sjell mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti lokal për buxhetin e shtetit, pasi risku është zero", tha Bode. Ai shtoi gjithashtu se, “edhe pse gjatë kësaj periudhe numri i bizneseve të regjistruara të raportuara nga pushteti vendor, ka ardhur në rritje, niveli i arkëtimeve nga taksat vendore po vjen gjithnjë e më shumë në zbritje”.

Investimet publike

Shpenzimet buxhetore gjatë tremujorit të parë të vitit arritën në 53 miliardë lekë. Sipas ministrit Bode, shpenzimet janë realizuar në masën 53 miliardë lekë, nga 64.7 miliardë lekë të programuara. "Ka një pakësim prej rreth 18 përqindësh në krahasim me programin, por janë rreth 8.9 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe ajo që është e rëndësishme është që niveli i shpenzimeve për investimet publike, vijon të mbetet në parametra jo në përputhje me objektivat e mëdha që kemi këtë vit për investime", - tha Bode. Kreu i Financave u shpreh se vëllimi në total i investimeve për këtë vit është më i larti historik, i cili shkon deri në 10 për qind të PBB-së dhe kërkon që fondet e akorduara për investimet publike të mund të shpenzohen në mënyrë ritmike. “Në përputhje me këtë, buxheti rezulton në fund të tremujorit me një suficit prej 10 miliard lekësh, të cilat qeveria i ka investuar me afat të shkurtër qoftë në sistemin bankar, qoftë duke asistuar KESH-in me kredi të përkohshme", - tha ministri Bode. Ai shtoi më tej se, “referuar kësaj ecurie do të kemi një mundësi më të madhe për të rialokuar në favor të investimeve publike në buxhetin suplementar të muajit korrik një shumë edhe më të madhe. Vetëm për muajin e fundit, të ardhurat nga administrata tatimore janë rritur me 36.6 për qind në krahasim me një vit më parë dhe në krahasim me programin e këtij viti me 31 për qind”.

Tatimet dhe Doganat

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pësuar një rritje në krahasim me vitin e kaluar. Niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit arriti në 63.6 miliardë lekë, ku i krahasuar me vitin 2007, ky nivel ka një rritje prej 15 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005, niveli i të ardhurave është 18.2 miliardë lekë më i lartë. Ministri Bode tha gjithashtu se të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë peshën kryesore të të ardhurave në buxhet. Sipas ministrit Bode, “ritmika e të ardhurave në të gjithë zërat do të thotë se kemi një pakësim të informalitetit dhe evazionit fiskal në të dy këto administrata. Tatimet dhe doganat, kanë dhënë për këtë periudhë një vlerë prej 4.2 miliardë lekë më shumë se programi”.Ai vijojë më tej se, “të ardhurat për 3-mujorin e parë nga doganat janë 16.3 për qind më të larta në krahasim me vitin e kaluar, në një kohë që ritmi vjetor është parashikuar rreth 12 për qind më shumë se një vit më parë”. Sipas Bodes, në tatime ka një rritje prej 24.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe një tejkalim të objektivave të këtij viti me 13.5 për qind. Ministri i Financave u shpreh se, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2005, nga të dyja këto administrata janë arkëtuar rreth 61.2 për qind për qind më shumë të ardhura ose 12 miliardë lekë më shumë se tremujori i parë i vitit 2006.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›