E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave shpall fituesit për kredinë 250 milionë euro

05/03/2009  “Deutche Bank” dhe “Alpha Bank”

Shpallen bankat fituese që do t’i japin qeverisë një kredi prej 250 milionë euro. Ministria e Financave njoftoi dje në mbrëmje se dy banka kanë fituar në garën për dhënien e kredisë ndaj qeverisë, një kërkesë e bërë zyrtarisht në fund të vitit të kaluar. Më konkretisht, fituese janë “Deutche Bank” dhe “Alpha Bank”, të cilat ofruan kushtet më të mira për të financuar me një shumë prej 250 milionë euro për qeverinë. “Ministria e Financave zhvilloi tenderin për të marrë një financim prej 250 milionë euro. Ofertës së Ministrisë së Financave iu përgjigjën 7 institucione financiare ndërkombëtare. Pas hapjes së ofertave, u zhvilluan negociatat me të gjitha institucionet e interesuara dhe u bë vlerësimi i tyre. Në përfundim të vlerësimit oferta më e mirë rezultoi ajo e paraqitur nga ‘Deutche Bank’ dhe ‘Alpha Bank’, njoftuan burimet zyrtare të Ministrisë së Financave. Burimet bënë të ditur se këtyre bankave do t’u japë mandatin për të siguruar financimin e kërkuar. “Duke rekomanduar që të përfshijnë në financim edhe bankat ‘Raiffaisen’ dhe ‘Credit Swiss’, të cilat kanë bërë oferta konkurruese. Siç kanë theksuar edhe organizatat financiare ndërkombëtare, interesimi i lartë i bankave të rëndësishme ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë financim është shprehje e besimit për ekonominë dhe qeverinë”, - theksuan burimet zyrtare. Ndërkaq ministri i Financave Ridvan Bode do të dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar kushtet e kredisë dhe si do të veprohet më tej. Qeveria vendosi të marrë kredi në tregun e huaj për të lehtësuar sistemin bankar vendas, me qëllim që ky i fundit të kreditojë bizneset vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›