Ministria e Financave u kërkon bizneseve rritjen e pagës minimale deri në 25 mijë lekë
Ministria e Financave i propozon biznesit rritjen e pagës minimale për të gjithë punonjësit në sektorin privat. Propozimi është kundërshtuar nga drejtuesit e biznesit me pretendimin se nuk mund të përballojnë taksat dhe shpenzimet shtesë për sigurime
shoqërore dhe shëndetësore. Rritja e pagës minimale sipas bizneseve mund të pranohet deri ne 22 mijë lekë. Debatet dhe pretendimet e palëve janë bërë publike dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës. Vendosja e pagës minimale bëhet për të mbrojtur shtresat sociale që punojnë me kohë të plotë, por, nga ana tjetër, shikohet me rezerva për biznesin që paguan kontributet, duke i rënduar kostot.
Propozimi
Rritja e pagës minimale nga 18 mijë në 25 mijë lekë. Ky ka qenë propozimi i ministrisë së financave që është diskutuar mes përfaqësuesve e qeverisë dhe të biznesit në Këshillin Kombëtar të Punës. Në mbledhjen e këtij këshilli që është zhvilluar në ministrinë e Punës. Përfaqësuesit e biznesit në bllok e kanë vlerësuar të lartë këtë pagë mbi të cilën më pas llogariten edhe taksat e punës. Propozimet e biznesit kanë qenë që paga të mund të rritet deri në 19 mijë lekë. Duke qenë në proces negocimi ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë paga minimale, por pjesëmarrës në këtë mbledhje thanë se mbase do të jetë e mundur për tu gjetur një shifër mesatare mes propozimeve të të dy palëve. Më këtë mendohet që paga minimale të vendoset së paku 22 mijë lekë. Mjaft industri të vendit e veçanërisht ajo e punës me fason apo mall porositësi janë industritë që goditen më shumë nga ky vendim. Kjo masë që e rrit koston e punës mund të sjellë që shumë prej këtyre industrive ose të punojnë në të zezë ose të falimentojnë. Rritja e pagës minimale do të ndikojë në financat e bizneset, pra direkt te masa e fitimit, pasi do ti duhet të paguajë më shumë kontribute për punëmarrësin. Një tjetër fenomen negativ lidhet me punësimin e të rinjve, të cilët nuk nxisin biznesin për aq kohë sa pagat minimale rriten në masën e pagave që marrin të punësuarit me eksperiencë.
Statistika
Ndërkohë që gjatë tremujorit të katërt 2009, forca e punës është 1.042.618 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.75%. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga tremujori i dytë 2008 deri në tremujorin e tretë 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2007 dhe për tremujorin e katërt 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2008. Sipas këtij vlerësimi, numri mesatar i të punësuarve në këtë sektor për tremujorin e katërt 2009 është 496.190. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor është ulur me 0.9% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të katërt 2009 është 143.340, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 10.050. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3.150 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3.900 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM Nr. 631, datë 11.06.2009 është 6.340 lekë.
Ornela Manjani