E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme: OSBE-ja nuk ka për t’u larguar

OSBE-ja nuk ka për t’u larguar nga Shqipëria, madje në zgjedhjet e ardhshme puna e saj do të jetë më objektive dhe monitorimi më i gjerë. Këtë fakt e ka konfirmuar ditën e djeshme në një reagim zyrtar Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka përgënjeshtruar të gjithë zërat mbi largimin e mundshëm të misionit të OSBE-së nga Shqipëria. Në deklaratën zyrtare, Ministria e Jashtme e drejtuar nga Lulzim Basha, ka bërë të ditur se prezenca e OSBE-së në vendin tonë do të ketë rol akoma më domethënës duke bërë të mundur që në zgjedhjet e vitit 2009, monitorimi nga kjo organizatë ndërkombëtare me emër do të jetë tepër objektiv. “Duke i konsideruar abuzive dhe të pavërteta pretendimet e ngritura në disa mjete të informimit mbi këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se nuk është kërkuar asnjëherë kufizimi i prezencës së OSBE-së apo i rolit të saj në lidhje me zgjedhjet”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Më tej, po në këtë deklaratë, ministria ka këmbëngulur se e kundërta është e vërtetë. Ministria ka bërë të ditur se ka kërkuar nga OSBE një rol më të gjerë në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira, si dhe angazhimin për krijimin e një reforme zgjedhore sipas standardeve dhe realitetit të ri politik në vend. “E kundërta është e vërtetë. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe reformën zgjedhore. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prej më shumë se 3 vitesh është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në, të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër të të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së në përputhje me realitetet e reja në vend”, - është shprehur ministria. Në deklaratë theksohet se OSBE-ja është duke bashkëpunuar në lidhje me realizimin e një sërë reformash delikate në vend. “Ministria e Punëve të Jashtme i përmbahet qëndrimit se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fushat më prioritare të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i OSBE-së është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Po kështu, reforma në drejtësi dhe projektet e përbashkëta të mirëqeverisjes mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit OSBE-Shqipëri. Duke e fokusuar veprimtarinë e OSBE-së në Shqipëri në këto 3 fusha, Ministria e Punëve të Jashtme beson se do të rritet efektiviteti i saj dhe do të shmanget çdo mbivendosje me punën e organizatave të tjera ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, duke iu përgjigjur më mirë realiteteve dhe kërkesave të vendit”, - thuhet në këtë deklaratë. Ministria e Punëve të Jashtme thekson se i është përmbajtur me përpikmëri këtij qëndrimi në të gjitha dokumentet e saj. Çdo interpretim tjetër, në veçanti pretendimi se Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar kufizim të rolit të OSBE-së në lidhje me zgjedhjet, sipas ministrisë, është i pavërtetë dhe absurd.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›