Solis dhe Bakalli: Po na vidhen votat në mënyrë të pamëshirshme
Kandidati i koalicionit Poli i Lirisë në Shkodër, Gilman Bakalli, denoncoi pak ditë më parë atë që ai e quan vjedhje të votave të partive të vogla të cilat shkojnë për forcat e mëdha. Sipas tij, një rast flagrant është rasti i qendrës ku ka votuar ai dhe familja e tij, ku aty ka 0 vota për atë si kandidat.
Bakalli theksoi se edhe në qendrat e tjera ku kanë votuar familjarë të tij dhe anëtarë të tjerë të LZHK-së nuk e kanë parë votën e tyre të figuruar gjatë numërimit. Sipas tij e gjithë kjo ndodh në momentet e pushimit të grupeve të numërimit. Gjithashtu dhe kandidati për deputet i PBDNJ, Leonard Solis, i cili ka kërkuar rinumërim të votave në Tiranë, duke deklaruar se gjatë këtij procesi ka pasur manipulime të shumta në dëm të PBDNJ. Në emër të partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Solis ka bërë me faj për këtë Partinë Socialiste, me të cilën partia që ai përfaqëson është në koalicion. Solis ka kërkuar rinumërim të votave në të gjithë Tiranën, jo për të parë nëse do të jetë ose jo deputet, por për të nxjerrë në dritë farsën e manipulimeve.