Buxheti 2010, rrit investimet në arsim e shëndetësi
Buxheti i vitit 2010 krijon gjithë mundësitë për të rritur investimet në shumë sektorë, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, si dhe në ujësjellës. Ky buxhet mundëson gjithashtu rritjen e pagave dhe pensioneve për gjithë administratën dhe pensionistët e fshatit dhe qytetit. Buxheti i vitit 2010 me vlerë totale 441 miliardë lekë të reja është miratuar dje në parim nga Komisioni i Ekonomisë në Kuvend.
Ky buxhet ka një rritje prej rreth 3 për qind, krahasuar me buxhetin suplementar të vitit 2009, ose në shumë absolute rreth 12.13 miliardë lekë më shumë. Ato janë parashikuar të përfaqësojnë rreth 32 për qind të PBB-së. Ministri Bode ishte i pranishëm në këtë diskutim të projektbuxhetit në Komisionin e Ekonomisë, i cili ka kaluar pa shumë debate, për shkak dhe të mungesës së deputetëve të opozitës në komision. Ky buxhet në total parashikon që shpenzimet të jenë në vlerë absolute 411 miliardë lekë, ku prioritet do të ketë sektori i arsimit me 44 miliardë lekë ose 3.4% e PBB-së, si dhe sektori i shëndetësisë me 36.95 miliardë lekë ose 2.87% e PBB-së. Në total shpenzimet për sektorin e arsimit zënë 3.4 e PBB-së, ose në shumë absolute rreth 44 miliardë lekë. Kjo rritje në shumë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2009 përfaqëson një rritje prej 4.4 miliardë lekë. Në këtë rritje janë të reflektuara dhe gjejnë pasqyrim nivelet e reja të pagave të punonjësve të sistemit arsimor, të cilat në vitin 2009 patën një rritje të ndjeshme, duke mundësuar dyfishimin e pagës krahasuar me vitin 2005. Gjithashtu ka një rritje të ndjeshme të shpenzimeve kapitale mbi 2 miliardë lekë. Sektori i shëndetësisë në total zë 2.87% të PBB-së, ose në shumë absolute rreth 36.95 miliardë lekë. Kjo rritje në shumë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2009 përfaqëson një rritje prej 5 miliardë lekë. Në këtë rritje janë të reflektuara dhe gjejnë pasqyrim nivelet e reja të pagave të punonjësve të sistemit mjekësor dhe infermieristik me rreth 15.7%. Një rritje e konsiderueshme për vitin 2010 parashikohet në transfertën e buxhetit të shtetit për ISKSH-në, me rreth 1.52 miliardë lekë, si dhe të shpenzimeve kapitale me mbi 1.8 miliard lekë. Për vitin 2010 parashikohet një rritje e pensioneve në masën 7-10 %, ndërkohë që rritja e pagave të punonjësve buxhetorë parashikohet në masën 4-10% e diferencuar. Ruajtja e nivelit 2 për qind e PBB-së së shpenzimeve në sektorin e mbrojtjes, duke plotësuar një nga detyrimet e anëtarësimit në NATO. Shpenzimet për personelin parashikohen 64 miliardë lekë ose 5% e PBB-së.
Si është ndarë buxheti i shtetit 2010 sipas ministrive:
Ministria e Arsimit 43.8 miliardë lekë 3.42% e PBB-së
Ministria e Shëndetësisë 36.9 miliardë lekë 2.25% e PBB-së
Ministria e Bujqësisë 6.82 miliardë lekë 0.53 % e PBB-së.
Ministria e Punëve Publike 47 miliardë lekë 3.7 % e PBB-së
Ministria e Ekonomisë 3.5 miliardë lekë
Ministria e Punës 43.64 miliardë lekë 3.4 % e PBB-së
Ministria e Mbrojtjes 25 miliardë lekë 2 % e PBB-së
Ministria e Mjedisit 2.1 miliardë lekë 0.16% e PBB-së
Ministria e Brendshme 17.5 miliardë lekë 1.3 % e PBB-së
Ministria e Integrimit 296 milionë lekë
Ministria e Punëve të Jashtme 2.34 miliardë lekë 0.18% e PBB-së
Ministria e Drejtësisë 6.85 miliardë lekë 0.53% e PBB-së
MTKRS 2.6 miliardë lekë 0.2% e PBB-së
Ministri e Financave 7 miliardë lekë 0.54% e PBB-së