Çavez i dhuron Obamës një ishull
Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, mendon t’i bëjë një dhuratë jo të zakontë homologut të tij amerikan, Barak Obama. Ai ka vendosur t’i dhurojë ishullin e quajtur “Petty”. Oferta u bë gjatë takimit të Amerikave, që përfundoi të dielën në Trinidat, kur Çavez i dhuroi Obamës edhe një libër, që u kthye në bestseller. Ishulli ndodhet përballë Filadelfias, shtetit të Nju Xhersit dhe ka një sipërfaqe prej 214 hektarësh. Që prej vitit 1982 është pronë private e Citgo, filialit të kolosit shtetëror të naftës në Venezuelë. Ai nuk përdoret që prej vitit 2001 dhe synimi ishte që të kthehej në një strehë për kafshët, për shkak të diversitetit të florës dhe faunës. Në këtë ishull gjenden impiante naftëmbajtëse me vlerë 19,7 milionë dollarë. Kjo dhuratë bëhet në linjë me politikën e përmirësimit të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Venezuelës.
23 Prill 2009