Ministria e Kultures shpall personalitetet e vitit
Tiranë, 25 shkurt 17:32 NOA - Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli emrat e personaliteteve të vitit me më shumë kontribut në kulturën kombëtare.
Joli Eleni Gjovreku, Drejtoreshë e Artit në MTKRS, doli sot para mediave dhe tha se në fushën e letrave u shpall Lasgush Poradeci, për nder të 110 vjetorit të lindjes.
Në fushën e arteve figurative u shpall Odhise Paskali për kontributin e dhënë në artet figurative dhe në nder të 105 vjetorit të lindjes.
Kurse në fushën e muzikës, Gjovreku tha se “kemi nderin të shpallim “Vitin Vaçe Zela” për nder të figurës së saj të pazëvendësueshme në muzikën e lehtë shqiptare së tij dhe 70 vjetorit të lindjes.
Risia
Ndryshe nga vitet e kaluara, ku duke iu referuar përvjetorëve të ndryshëm të personaliteteve të artit dhe të kulturës, përzgjidhej emri që me veprën e tij kish dhënë një ndikim të ndjeshëm në kulturën kombëtare, është menduar që ky vit të shënojë një kthesë sa i përket këtij momenti.
Viti 2009, shënon një numër të konsiderueshëm përvjetorësh të personaliteteve të rëndësishëm të artit në të gjitha gjinitë e tij.
Gjevreku tha se përzgjedhja e emrave, ka qenë një përgjegjësi dhe vështirësi jo e pakët duke patur parasysh rolin e pamatshëm që ka luajtur secili prej tyre në Historinë e Artit Shqiptar.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve thotë se do të realizojë përgjatë këtij viti, projekte të posaçme dhe veprimtari të ndryshme kulturore në nderim të këtyre figurave.
Vlen për t’u theksuar se çdo projekt dhe veprimtari që do të organizohet në këtë kuadër, do të jetë në bashkëpunim me familjet e këtyre përsonaliteteve me qëllim, respektimin e të drejtës së autorit për veprën që do të promovohet si edhe evidentimi i vlerave të pazbuluara të veprës që ata përfaqësojnë, që ndodhet në arkivin e familjes për të paraqitur përmasën e duhur dhe evidentuar rolin e padiskutueshëm që ata kanë luajtur në kulturën kombëtare.
e.l/NOA