Ministria e Punës: Masa për shfrytëzimin e fëmijëve në rrugë, deri në heqjen e atësisë
Fenomeni i lypjes së foshnjave në rrugët e Tiranës ka vënë në lëvizje institucionet qendrore. Ministria e Punës i ka kërkuar ndihmë forcave të rendit të ndërhyjnë për largimin e tyre nga rruga dhe të identifikojnë autorët që qëndrojnë prapa këtij fenomeni. Zv. ministrja e Punës, Filloreta Kodra, ka bërë të citur për median se nëse nga ana e policisë vërtetohet se këta fëmijë shfrytëzohen nga prindërit e tyre, duhen marrë masa ekstreme deri në heqjen e atësisë.
Ajo ka bërë të ditur se ndërhyrja e parë duhet të jetë nga policia. I takon forcave të rendit të ndërhyjnë për të identifikuar autorët e krimit, pasi ky është vërtet një krim që u bëhet këtyre fëmijëve. Por legjislacioni ynë parashikon dhe masa të rënda penaliteti nëse vetë prindërit shfrytëzojnë të miturit. I takon shërbimeve tona sociale të merren me rastet e evidentuara e më pas të padisin në gjykatë personat e akuzuar për shfrytëzim. Sipas ligjit, gjykata vendos deri në heqjen e së drejtës prindërore, është shprehur Kodra. Ndër të tjera ajo ka pohuar se ky komunitet vuan prej kohësh probleme të thella sociale, por se smund të thuhet se spo punohet nga ana e shtetit. Në strategjinë rome e cilësuar Dekada rome, kemi planifikuar një bashkërendim të projekteve sociale, për arsimimin, punësimin dhe ndihmën ekonomike. Këta fëmijë duhet të shihen në kompleks, pasi problemet e tyre janë të ndryshme, ata skanë bukë, skanë veshmbathje, nuk shkojnë në shkollë sepse nuk kanë libra, pra janë shumë probleme ku duhet të fokusohemi. Natyrisht kjo kërkon dhe bashkëpunimin me pushtetin vendor, ka theksuar ajo. Problem mbetet dhe mos regjistrimi i komunitetit rom. Për këtë arsye shumë prej tyre nuk përfitojnë shërbimet sociale, ndihmën ekonomike e cila është prioritare për ti nxjerrë ata sadopak nga varfëria ekstreme ku janë sot. Ndaj unë i bëj thirrje komunitetit rom të regjistrohet sa më parë.