E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, punonjësit Part-Time duhet të derdhin 33.2 % të pagës mujore për kontribute

Ja kategoritë e detyruara të paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në Tiranë sqaron se cilat janë kategoritë e punonjësve për pagesat e detyruara si dhe procedurat që duhet të ndjekin ato për të kryer pagesat e kontributeve. Sipas ISSH-së, mjaft të vetëpunësuar, ose të vetëpunësuar që punësojnë edhe të tretë në punët e tyre, pavarësisht nga kohëzgjatja e aktivitetit, përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. I vetëpunësuar, i vetëpunësuar në ortakëri, i vetëpunësuar

që punëson të tretë (me përjashtim të të vetë punësuarve në bujqësi), duke filluar nga 1.9.2006 e në vazhdim, derdh kontribute të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në masën 33.2 për qind të pagës mujore minimale, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Janë një sërë kategorish punonjësish që përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Së pari, në këtë skemë përfshihen të gjithë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa ose me afat me më shumë se 1 muaj e që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme pune, për më shumë se 24 orë në javë. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi: për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësi dhe sigurim shëndetësor. Por pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme pune, që zgjat më pak se 24 orë në javë. Kategoria e sipërpërmendur e punonjësve sigurohet në mënyrë të detyrueshme në nivel minimal në këto degë sigurimi: barrë lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor. Kategoritë e veçanta Përveç punonjësve të sipërpërmendur, pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe disa kategori të veçanta, që duhet të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore për të qenë të siguruar. Konkretisht në kategoritë e veçanta përfshihen: Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, që paguajnë kontribute vetëm për sigurimin shëndetësor; Kursantët dhe studentët për kohën e praktikës mësimore, që sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë; Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, që sigurohen po sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Ndërkohë, në rast se pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese, si administratorë, apo çdo funksion tjetër, atëherë ata trajtohen si të punësuar dhe janë pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm. Po ashtu, edhe pjesëtarët e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me punëdhënësin privat dhe të vetë punësuarin, të cilët sigurohen në nivel minimal për barrë lindje, pensione dhe sigurim shëndetësor janë të përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari. Pagesat e kontributeve gëzojnë përparësi në raport me detyrimet fiskale dhe borxhet, që do të thotë se subjektet nuk mund të paguajnë detyrimet e tjera, qoftë dhe ato fiskale pa paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Vendimi i Këshillit të Ministrave Për qëllimet e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, masa e kontributit për tu paguar për punëmarrësit me kohë të pjesshme përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 1114, datë 30.7.2008, të ndryshuar. Në zbatim të këtij vendimi, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, që janë me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, llogaritet për degët e sigurimit, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor, në përqindjet përkatëse, mbi pagën bruto mujore sipas listë-pagesës, por jo më pak se niveli i pagës bruto të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 995, datë 2.7.2008. Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve, edhe për këta të punësuar, do të jetë ajo e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.Liri Mëhalla

Last Updated on E Marte, 19 Janar 2010 21:01

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›