E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë dorëzon planin e emergjencës për zonat e përmbytura

Ministria e Shëndetësisë prej tre ditësh ka dorëzuar pranë autoriteteve shëndetësore në qytetin e Shkodrës, planin e emergjencës i cili do të shërbejë për pastrimin e zonave të përmbytura nga ndotjet që sollën ujërat gjatë vërshimit të tyre. Në planin e emergjencës që komiteti ndërministror miratoi javën e shkuar prioritare mbeten shërbimet shëndetësore, shëndeti publik dhe kujdesi spitalor. Në plan theksohet se uji është një prej prioriteteve që duhet të kenë specialistët.

Ata duhet të bëjnë një vlerësim të veprave të ujësjellësve,  inspektimin dhe marrjen e mostrave të paktën 2 herë në ditë. Një tjetër vëmendje kërkohet për puset, për vlerësimin e cilësisë së ujit të puseve. Në lidhje me rrezikun e përhapjes së epidemive nga ujërat e zeza, kërkohet monitorim i shkarkimeve të ujërave të zeza dhe sipërfaqësore në lidhje me nivelin e ndotjes mikrobiologjike, kimike, fizike, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit dhe strukturat e pushtetit vendor.        Informim dhe udhëzim i vazhdueshëm i publikut mbi dezinfektimin e gropave septike, pastrimin e sipërfaqes përreth gropave septike dhe groposjen e mbeturinave. Kontrolli i sëmundjeve infektive është një nga pikat e planit të emergjencës që ka hartuar ministria e Shëndetësisë. Kujdes i duhet kushtuar evidentimit grumbullimit dhe groposjes së kafshëve të ngordhura në bashkëpunim me Inspektoratin Veterinar, Inspektoratin e Mjedisit dhe Pushtetin Vendor. Plani i emergjencës shëndetësore Për rehabilitimin sanitar të zonave të përmbytura është objekt i rishikimit të vazhdueshëm në varësi të evoluimit të situatës.

Last Updated on E Marte, 19 Janar 2010 20:59

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›