Ministria e Punës, së shpejti drafti i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve
Kërkesa publike që Kryeministri Sali Berisha i drejtoi në qershor të vitit 2008 Ministrisë së Punës për marrjen e masave të veçanta me qëllim që në rrugët e Shqipërisë të mos ketë më asnjë fëmijë me dorë të shtrirë, është drejt plotësimit. Hartimi për herë të parë i një legjislacioni bashkëkohor që ofron mbrojtjen më të mirë për fëmijët, është duke përfunduar.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Gjergji Leka, tha se nisur nga kërkesa e kryeministrit, përvoja, arritjet dhe problemet e derisotme në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, është ndërmarrë iniciativa ligjore e hartimit të një ligji integral, që jo vetëm do të garantojë të drejtat e ligjshme të fëmijëve, por do të përcaktojë saktë edhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen ti garantojnë këto të drejta. Ai sqaroi se Ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve do të përgjigjet për ato probleme që nga ana ligjore sot janë të pambuluara, në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe kategoritë e tyre. Kemi kategori fëmijësh si jetimët, fëmijët e rrugës, të dhunuar, romët, fëmijët e ngujuar, ata me probleme shëndetësore, etj, që nuk janë të mbuluara 100% nga ligji, pavarësisht se ka ligje të veçanta, ne mendojmë që ti integrojmë ato dhe të bëjmë një ligj integral ku të jetë i qartë i gjithë aktiviteti që ka të bëjë me fëmijët, vijoi Leka, duke shtuar se aktualisht grupi i punës i ngritur enkas për këtë iniciativë ligjore, po punon për përgatitjen e një analize për çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe një analizë ligjore për kuadrin ligjor të fëmijëve. Ky grup pune përbëhet nga përfaqësues të ministrive të linjës dhe të UNICEF. Analizat e përgatitura nga ky grup do të jenë gati në muajin shkurt, ndërkohë që një muaj më vonë, në mars do të jetë gati drafti i ligjit integral për fëmijët, i cili sipas z. Leka, do të kalojë në Kuvend gjatë muajit qershor.
Email This Klikime: 11
Email This Klikime: 11