E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferexheja përjashton nxënësen, kushtetutshmëria, në pikëpyetje



Pas katër rasteve kur nxënësit janë përjashtuar nga shkolla për ferexhe ose mjekër të gjatë dhe janë rikthyer, pasi një vendim i tillë është cilësuar antikushtetues, historia përsëritet në Burrel. Dje është marrë vendimi zyrtar për nxënësen e shkollës së mesme, Florida Kola, e cila nuk do të lejohet të hyjë në shkollë për aq sa do të mbajë ferexhenë. Këtë vendim e ka mbështetur edhe ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, ndonëse juristë vendosin në pikëpyetje ligjshmërinë e një vendimi të tillë.

Juristë të kontaktuar dje nga gazeta “standard” kanë deklaruar se ky vendim ngre shumë pyetje kushtetuese. Kushtetuta përcakton se Shqipëria është vend laik, por jo ateist, sipas tyre. Neni 24 thotë se “secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”, duke përfshirë edhe arsimin në këto të drejta.

"Kur shkova në shkollë, më përjashtuan për shkak të shamisë që unë mbaj. Kjo gjë më bëri të ndihem shumë keq. Shaminë e kam vendosur me dëshirën time, por unë dua që të shkoj edhe në shkollë", - ishte shprehur Florida, për të marrë një përgjigje edhe nga ministri Beja. Ai deklaroi dy ditë më parë se Kushtetuta përcakton se Shqipëria është vend laik dhe se ekziston një rregullore që përcakton se “uniforma është një standard i detyrueshëm edhe në pjesën më të madhe të shkollave private, të cilat e konsiderojnë atë edhe si një pjesë të identifikimit të tyre”.

Njëkohësisht, në një çështje të ngjashme, Avokati i Popullit është shprehur qartë se ndalimi i nxënësit për veshje fetare është antikushtetuese dhe shkel të drejtat e njeriut. “Ndalimi i një veshjeje që dihet haptazi që mbahet për motive fetare, vlerësimi i saj si e papërshtatshme, mendojmë se formon një rast, i cili shkakton drejtpërdrejt shkelje të dispozitave të rëndësishme për të drejtat themelore dhe të lirive vetjake të njeriut, të parashikuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, - ishte shprehur në rekomandimin nr. 18 të vitit 2001, Avokati i Popullit, duke iu referuar një rasti analog në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë.

I pyetur nga “standard” zëvendësministri i Arsimit, z. Halit Shamata, deklaroi se “rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë të detyrueshme, por veçse rekomandime”. Sipas tij, shkollat janë laike dhe nëse ekziston një çështje kushtetuese, ajo duhet të zgjidhet në gjykatë. Zëvendësministri deklaroi se rregullorja e shkollës, edhe pse nuk prevalon mbi Kushtetutën, për aq sa nuk ka një ligj që lejon shaminë në shkolla, atëherë kjo çështje mbetet në pikëpyetje.

Avokati i Popullit kishte deklaruar se vetëm me një ligj që kufizon një prej të drejtave të njeriut, që është e drejta e fesë, mund të ndalohet shamia në shkolla. “Nëse në shkolla do të zbatohet pa kufizime neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo në ushtrimin e kësaj lirie duhet të vendosen kufizime, kjo bëhet vetëm me ligj të veçantë. Sipas nenit 17 të Kushtetutës, kufizimet në të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj”, - kishte rekomanduar ai në një rast analog.

Vetëm në 8 vitet e fundit ka pasur 4 raste kur nxënës janë dëbuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të mjekrës dhe të ferexhesë. Në të gjitha këto raste ata përfundimisht janë lejuar, pas reagimit të Komunitetit Mysliman dhe vendimeve të gjykatave, që gjithnjë kanë qenë në të drejtë të ankimuesve, duke i lënë drejtorët e shkollave apo rektorët pa asnjë alternativë tjetër.

Problemet ligjore: Kushtetuta

Neni 24

1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.

2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Neni 17

1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Arsimi profesional

MASH: Prioritet i qeverisë

“Arsimi profesional është dhe mbetet një ndër prioritetet e politikave në fushën e arsimit”, - deklaroi dje Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo ministri, në përgjigje të deklaratës së Partisë Socialiste, se arsimi profesional nuk ka qenë në axhendën e qeverisë, bëri të ditur sot se fondet për arsimin profesional gjatë katër viteve të kësaj qeverie janë dyfishuar nga 1.7 miliardë lekë në 2005 në 2.6 miliardë lekë në 2009-n. Fondet për çdo nxënës të këtij arsimi janë rritur nga 640 USD në 1.310 USD, në vit. “Për t’i bërë shkollat profesionale më tërheqëse dhe për zgjerimin e kapaciteteve të tyre në katër vitet e qeverisjes demokratike janë rikonstruktuar ose zgjeruar 42 shkolla dhe 26 konvikte, nga gjithsej 70 shkolla profesionale. 12 shkolla të tjera do të rikonstruktohen me buxhetin e këtij viti”, - tha zëdhënësja e MASH-it, Ermalinda Muho, duke shtuar se brenda tre viteve të ardhshme do të ndërtohen edhe 6 shkolla të tjera tekniko-profesionale. E vetmja shkollë ku nuk u realizua zgjerimi i parashikuar, sipas Muhos, është shkolla e ndërtimit “Karl Gega” në Tiranë, ku fondet e Bashkimit Evropian u dogjën, sepse kryetari i bashkisë, Edi Rama, nuk dha lejen e ndërtimit. Në 10 shkolla profesionale në vitin e ardhshëm shkollor do të hapen repartet për profesionin e hidraulikës, me pajisje të reja, me kurrikulë të re, me kualifikime sipas modeleve me të përparuara. Vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale në përputhje me standardet evropiane dhe interesin e çdo nxënësi për t’u kualifikuar sipas nevojës së tregut apo për të vijuar studimet e larta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›