Minoreni korçar, hajdut për të shtatën herë

10/04/2005 TIRANË- S.S., 12-vjeccari korçar që ka vënë prej muajsh në punë agjentët e kriminalistikës, ku i numërohen të paktën 7 grabitje, sërish kryen vjedhjen e një kioske në Tiranë. Fenomeni "i mitur" derimë tani është arma mbrojtëse e vogëlushit pa prindër, i cili tashmë është kthyer në një ferr i vërtetë për inspektorët e agjentët e kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët tashmë i kanë kopsitur rreth shtatë grabitje, të cilat mbajnë autorësinë e tij dhe disa të tjera janë kryer me anën e një bashkëpunëtori të mitur nga Vlora. I mituri së fundmi është shpallur autor i grabitjes së një kioske, ngjarje e ndodhur në datën 29 janar të këtij viti. Nga burime të kriminalistikës mësohet se tashmë "stili" i tij i vjedhjes është ngulitur mirë në mendjen e tij, pasi ai arrin që mjeshtërisht, pa dhunë, pa thyerje, të grabisë të gjitha materialet e çmuara që mund të ndodhen në objektet ku ai synon. Në listën e gjatë të vogëlushit që banon sa herë në Tiranë, më pas në Korçë e më në fund në Elbasan, pasi nuk ka asnjë nga prindërit, përmenden grabitje spektakolarë të parukerisë "Beauty", të disa dyqaneve ushqimore, etj. Ndërkaq, paradoksi i arrest-lirimit të tij përsëritet një herë në dy a tri ditë, pasi agjentët fillimisht i vënë prangat, mirëpo mosha e tij minorene e favorizon të lirohet menjëherë dhe përgjegjësia t i kalojë prindërve, të cilët në këtë rast mungojnë. Kështu që deri në krijimin e gjykatës të së miturve ai do të vazhdojë profesionin, të cilit ia ka marrë dorën më së miri. Hajduti profesionist, sipas burimeve policore bashkëpunon me një rrjet të madh hajdutësh, të cilët e udhëheqin e në fund i marrin të gjitha materialet e vjedhura, mirëpo ende nuk është arritur të mësohet ndonjë emër konktret edhe për shkak të lëvizjeve të çrregullta të vogëlushit, i cili gjithësesi nuk u ka shpëtuar disa survejimeve të agjeëntëve të kriminalistikës. Përfundimisht, inspektorët e policisë kanë vendosur ta përgjojnë më imtësisht të miturin për të arrestuar bashkëpunëtorët e tij.