E Hënë, 2 Nëntor 2026

Minoritarët kërcënojnë me bojkotim të zgjedhjeve

22/01/2005  Përfaqësuesit e minoritetit grek, në jug të Shqipërisë, kanë kërcënuar me bojkotim të zgjedhjeve, në rast se do të ndryshyjnë kufijtë e zonave elektorale, ku ata votojnë.

"Komunat e minoritetit, Aliko, Finiq, Dhiver, Livadhja, Çukë, do të bojkotojnë zgjedhjet e 2005, nëse shkrihet zona me numër 100", është shprehur kryetari i komunës Finiq, Ziso Lluci. Shkak për këtë ka qenë një deklaratë e ministrit Ben Blushi, i cili ka paralajmëruar ndryshimin e kufijve për zonën 100. Pas kësaj deklarate, shoqata e minoritarëve ka organizuar një tubim, ku është lexuar peticioni që i është dërguar përfaqësive diplomatike në Tiranë, si dhe krerëve të shtetit shqiptar. Peticioni është lexuar para protestuesve prej kryetarit të komunës Aliko, Spiro Papa. "Në peticion thuhet se do të bojktohen zgjedhjet, pasi po kërkohet të cënohen rëndë interesat e minoritet etnik grek në Shqipëri". Zona 100 njihet dhe si zona ku konkurron deputeti i Partisë Socialiste, Stefan Çipa. Të katër komunat së bashku kanë 6 mijë banorë. Ndaj është kërkuar që kufijtë elektoralë në këtë zonë të mos ndryshojnë. Protesta vjen në momentin kur pranë OSBE-së është duke u diskutuar ndarja e re elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›