E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj, takime në komunat e Beratit dhe Kuçovës

Drejtuesi i lëvizjes politike G99, Erion Veliaj, vijoi takimet në Qarkun e Beratit, në fshatrat Vërtop, Vodicë, Drenovicë, Kutalli si dhe në qytetin e Kuçovës, ku ftoi qytetarët të votojnë për koalicionin e ndryshimit më 28 qershor. Veliaj inkurajoi qytetarët të mendojnë jo të ndarë majtas dhe djathtas, por të bëjnë një zgjidhje për të shkuar lart ose poshtë shkallës së zhvillimit. "Asnjeri nuk dëshiron sot që fëmija i tij të bëhet si Xhuveli, si Mediu apo si Pango - tha Veliaj - për këtë duhet të ndryshojmë ata që na drejtojnë. Kudo që jemi, në fshat apo në qytet, në Veri apo në Jug, në fushë apo në mal, ne jemi shqiptarë dhe nuk duhet të biem pre e atyre politikanëve që duan të na përçajnë prej 18 vitesh. E ardhmja e fëmijëve tanë është apeli më i sinqertë për t‘u bashkuar dhe për të sjellë ndryshimin në qershor". Në takimet e tij me banorët e fshatrave të Beratit, Veliaj prezantoi disa nga idetë për të gjallëruar sektorin e bujqësisë, si kthimin e asistencës sociale në një çek ushqimor për produktet lokale që do të fuste në sistem mijëra euro të ardhura për fermerët. "Nëse marrësit e asistencës sociale do të inkurajoheshin të mos t‘i harxhonin ato lekë në skedina apo loto, por të blinin me to ushqime të vendit, vetë supermarketet e qyteteve të mëdha do të mblidhnin një pjesë të madhe të produkteve të fshatit", u shpreh Veliaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›