Minxhozi: Qeveria të dërgojë ilaçe në Veri
/>135.000 banorët e qarkut të Dibrës janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme të motit. Deputeti i PS, Qemal Minxhozi tha se, 40 fshatra të Matit, Bulqizës dhe Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuar. 43 fshatra të tjerë janë të bllokuar në Qarkun e Kukësit. Në këto fshatra mungon mjeku, mungon tërësisht shërbimi shëndetësor.
Si rezultat i vështirësive vetëm në këto 2 qarqe janë të bllokuara 56 shkolla 9-vjeçare dhe 12 shkolla të bashkuara. Në këtë situatë alarmante vetëm shteti është i qetë. Më tej ai foli për fondet që duhen akorduar nga shtabet e emergjencës në nevojë të shumë familjeve të izoluara. Gjithashtu Minxhozi shprehu se, qeveria në vend që të alokojë fonde komunave për zhbllokimin e rrugëve, të alokojë fonde për ilaçe për qendrat shëndetësore, të sigurojë soba dhe dru zjarri për nxënësit e shkollave të fshatrave, tallet në mbledhjen e qeverisë me shifrat e rritjes ekonomike të vendit. Ka tre vjet që opozita kërkon që qeveria në buxhetin e saj të alokojë një fond të veçantë të gjithë komunave e bashkive për rastet e emergjencës. Situata si kjo e tanishmja e tregon qartë domosdoshmërinë e rishikimit urgjent të buxhetit të vitit 2009 për ti dhënë sa më parë një fond të veçantë të gjithave komunave, për përballimin e situatave emergjente. Ndërkohë që situata ngelet akoma problematike asnjë ministër i qeverisë nuk ka qenë në asnjë komunë për të parë nga afër situatën dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve. Përpara se qeveria të merret me moshën e internetit në fshat, tju japë fëmijëve dritë, tju hapë rrugën për në shkollë dhe tju sigurojë ngrohje-përfundoi Minxhozi.