E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të persekutuarit, në vend të parave të burgut, data dhe obelisk

/>Berisha, 20 vjet pas, lapidar te Piramida dhe ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Institut si në kohën e "gjuetisë së shtrigave" në SHBA
Berisha kërkon tu fitojë zemrën të dënuarve të ndërgjegjes gjatë regjimit komunist dhe ish pronarëve. Këtë fillim viti, që është pragfushate elektorale, nuk ka deklaratë që të mos përfshijë të persekutuarit e regjimit. Dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha vendosi t'i japë pak djathtas timonit të tij propagandistik, duke vendosur ngritjen e një Obelisku për viktimat e diktaturës, ngritjen e një instituti, vendosjen e një date të përmbysjes së diktatorit dhe sigurisht ka evokuar ngjarjet e asaj kohe, pas krijimit të PD. Eshtë e qartë se bëhet fjalë për të ruajtur votat e kësaj shtrese, që në fakt përbën thelbin e së djathtës, megjithëse është mënjanuar dhe është përdorur vetëm për garniturë nga ish komunistët që morën në dorë drejtimin e lëvizjes antikomuniste të viteve '90. Sigurisht janë vetëm fjalë. Të persekutuarit tashmë janë mësuar me të gjitha qeveritë, janë keqtrajtuar thuajse njësoj nga të gjithë kryeministrat. Berisha pasi i ka rrahur dhe i ka nxjerrë me dhunë nga grevat e urisë, pasi nuk u ka dhënë asnjë lekë të persekutuarve nga buxheti i viteve të mandatit të tij qeverisës, pasi i ka mashtruar ish pronarët dhe nuk u ka dhënë akoma paratë e kompensimeve, kërkon të afrojë këta njerëz në fund të mandatit të tij. Berisha, jo vetëm i ka keqtrajtuar dhe dhunuar, por i ka përçarë në disa shoqata. Të persekutuarit sot nuk janë në një zë, por janë në zëra të ndryshëm, në pamundësi për tu mbrojtur nga pushteti që vepron mbi ta me të gjitha mekanizmat e sundimit.

20 shkurti, data e rrëzimit të diktaturës
Në vend që tu japë kompensimin e viteve të burgut, Berisha u jep të persekutuarve ligjin e dosjeve, obeliskun, institutin, datat, dekoratat, të gjitha në interes të propogandës së tij. Edhe dje, në mbledhjen e qeverisë, Berisha foli si te personazhi i Pëllumb Kullës që fliste: "Doni më për Belulin". Duke folur për 20 shkurtin, ai tha: Dua tju rrëfej një ndjenjë time personale, që në fakt nuk ishte vetëm e imja, por e të gjithë shqiptarëve. Nga dita e themelimit të Partisë Demokratike deri në ditën e rrëzimit të diktaturës, - u shpreh Kryeministri - në vetëdijen tonë të thellë nuk mund të konsideroheshim një opozitë e vërtetë, sepse diktatori mbretëronte me kultin e tij çdo ditë, tek kalonim në shesh, duke na thënë jam këtu, i gjithëfuqishëm, ndërsa ju mendoni se jeni, por në fakt ju nuk jeni reale, jeni fiktivë. Dhe e vërteta është se 20 shkurti, kjo ditë e madhe që u përgatit nga një grevë e pashembullt në historinë e një vendi e po atyre që themeluan PD-në, studentëve dhe pedagogëve, kulmoi me përmbysjen e bustit e diktatorit. Bota priste pikërisht këtë. Ata na ndihmuan, por sërish diktatori në qendër të sheshit Skënderbe ishte një provë jashtëzakonisht e rëndësishme e opozitës shqiptare, të cilën duhet ta kapërcente me sukses.
Kryeministri Berisha shpalosi idenë e ndërtimit në një obelisku para piramidës në nderim të viktimave të komunizmit. Po kështu do të shpallë 20 shkurtin, si ditën në nderim të këtyre viktimave. Berisha është shprehur se kjo datë është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla dhe të vdekura të diktaturës. Kjo datë përkon me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në 91.

Instituti
Në mbledhjen e qeverisë u votua edhe projektligji Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri.
Duke folur për krimet e komunizmit, Berisha tha se Shqipëria nuk ka zgjedhur hakmarrjen, përsa i përket sistemit të shkuar, pasi kjo nuk do të ishte gjë tjetër, vetëm rrezikim për ripërsëritje të asaj që ka ndodhur. Por e vërteta është se nuk kemi zgjedhur as drejtësinë. Sipas tij ka vende që kanë zgjedhur drejtësinë, por ne vijoi ai si me ligjin e spiunëve edhe me të gjitha vendimet dhe ligjet e tjera që do të ndërmerren, kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm të të drejtave të asaj kategorie që kanë qenë të përfshirë.

******************************************************
Detyrat e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit   
 
- Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist;
 
- Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit;
 
- Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij, në rrafshin historik;
 
- Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist;
 
- Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga perëndimi, pamundësinë për tu informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, kartave të ushqimit, urisë së krijuar dhe pasojave të saj;
 
- Të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist;
 
- Të publikojë e të përhapë materiale të shkruara në letër e rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri;
 
- Bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës lidhur me objektin e punës së Institutit;
 
- Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve informacion të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dh pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›