Xhaçka: Ndërkombëtarët në një zë, Berisha cenon demokracinë
/>Olta Xhaçka nga G99 reagoi dje në një konferencë për shtyp, mbi raportin e Akademisë së Mbrojtjes Britanike (Defence Academy of the UK) si dhe mbi reagime të tjera ndërkombëtare që nxjerrin në pah situatën e rënduar ekonomike dhe politike në vend dhe shprehin dyshime mbi përparimin që Shqipëria po bën në procesin e integrimit evropian.
Më tej ajo tha se, polemikat e fundit mes Kryeministrit Berisha dhe ndërkombëtarëve lokale mbi tendencat autoritariste të qeverisjes së Shqipërisë, po i konfirmon Shqiptarëve se kryeministri i vendit po dështon për të qeverisur vendin sipas kritereve të domosdoshme demokratike për integrimin tonë euro-atlantik. Gjithashtu Xhaçka tha se, Raporti i Akademisë së Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, publikuar në fund të dhjetorit që sapo kaloi, nënvizon qartazi opinion ndërkombëtar se Berisha jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po investon gjithçka për të kontrolluar institucionet e vendit, zgjeruar nepotizmin, e përqendruar pushtetin ekonomik, duke cenuar kështu parimet demokratike të qeverisjes. Xhaçka më tej u ndal në tre pika kyçe, ku vuri në dukje se, sipas raportit, mbas 18 vjetësh tranzicion, nën qeverisjen e Sali Berishes, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme të përmasave të konsiderueshme paçka retorikës boshe për arritje të mëdha në luftën kundër tyre. Nepotizmi përmendet si një ndër problemet kryesore manifestuar më së miri tek Kryeministri dhe familjarët e tij e specifikisht vajzën e tij. Raporti nënvizon gjithashtu tendencën e vazhdueshme të qeverisë Berisha për të censuruar kritikat e brendshme duke ushtruar presion mbi median, shoqërinë civile, dhe institucionet e pavarura. Është e qartë se problemet kryesore që kushtëzojnë jetën e çdo shqiptari, -shprehu Xhaçka, nuk janë përmirësuar aspak gjatë mandatit qeverisës së Berishës. Përkundrazi, tha ajo, edhe në këtë vit të 18-të të tranzicionit të stërmundimshëm shqiptar, do vazhdojmë të ndeshemi me problemet e ujit e dritave, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës etj. Edhe këtë vit do të shohim pensionistë që nuk arrijnë të mbyllin muajin, mësues të revoltuar për rrogat, pronarë të pa kompensuar, studentë të edukuar në kushtet e një arsimi aspak modern, minatorë të harruar në galeritë e Veriut, e shumë të tjerë, viktima të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë qeverisëse. Është e qartë, edhe në saj të këtij raporti,-cilësoi Xhaçka, se realiteti në sytë e ndërkombëtarëve të pavarur është krejt ndryshe nga ai që na shet kryeministri me premtime boshe. Mbetet shqetësues fakti se reformat e munguara dhe marrëdhëniet gjithnjë e me konfliktuale të Berishës me ndërkombëtarët po cenojnë rëndë imazhin e Shqipërisë si pro-evropiane dhe ecurinë e integrimit të vendit tonë në BE, -përfundoi Xhaçka.