E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, 30 raste të reja vetëm në janar

TIRANE- Virusi i gripit të derrit ka infektuar gjatë muajit janar edhe 30 persona të tjerë, duke e çuar në 460 numrin e të prekurve. Situata epidemike pritet të bëhet edhe më kritike në fillim të muajit shkurt, kur sipas specialistëve të Shëndetësisë do të ketë një rritje të rasteve të prekura nga virusi A/H1N1. Numri mesatar i të prekurve në ditë arrin nga 1 deri në dy raste, ndërkohë që mosha që rezulton më e infektuar është ajo nga 25 deri në 35 vjeç. Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është hedhur alarmi se situata epidemike në lidhje me gripin e derrit në fillim të muajit shkurt mund të bëhet më e vështirë, kjo për shkak se në këtë periudhë pritet të nisë edhe faza e dytë e infektimit pandemik. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se, gjatë dy javëve të fundit situata epidemike ka qenë më e lehtë, duke konfirmuar se është ulur numri i mostrave që paraqiten për ekzaminim në laborator. Numri më i madh i mostrave për ekzaminime vazhdojnë të vijnë nga Spitali Infektiv dhe ai i Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë, por dy javët e fundit, sipas specialistëve, vihet re një rritje e rasteve të moshës pediatrike. “Survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjitha spitalet e vendit, si dhe është përforcuar survejanca për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rënda respiratore”, - theksuan specialistë të ISHP-së. Për dikasterit e bluzave të bardha mbetet ende shqetësues fakti se personat me risk ndaj virusit, që janë të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna po refuzojnë të marrin vaksinën, duke bërë që ata të jenë të rrezikuar ndaj infeksioneve. Nga 3 dhjetori i vitit të kaluar, kur u shënua rasti i parë i vdekjes nga A/H1N1, në vendin tonë regjistrohen 12 viktima, ndërsa rasti i parë i prekur nga virusi është regjistruar në 20 korrik të 2009. (s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›