Lulzim Basha: Bashkëpunim mes bashkive, për interesat e qytetarit
Konferenca e krerëve të njësive të Qeverisjes Lokale dhe Rajonale, organizuar nga Këshilli i Evropës
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha përshëndeti dje konferencën e Krerëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, aktivitet i organizuar nga Këshilli i Europës dhe Kongresi Europian i Autoriteteve Lokale, duke përcjellë mesazhe për bashkëpunim mes njësive vendore, për interesat e qytetarit. Kryebashkiaku Basha tha se angazhimi i administratave duhet të jetë një kontribut thelbësor për shërbime më të mira për komunitetin.
“Doja t’ju transmetoja kolegëve tanë në Kongres, angazhimin dhe devocionin tonë maksimal, për të ushtruar në përputhje me angazhimet tona publike, mandatin tonë zgjedhor, mandatin tonë të dalë nga zgjedhjet e lira, të ndershme, kompetitive e transparente. Ne jemi të bindur se mandati ynë dhe angazhimi i administratave tona do të jetë një tjetër kontribut thelbësor, për shërbime më të mira për qytetarët, për konsolidimin e shtetit ligjor, për konsolidimin e demokracisë në nivel lokal e rajonal, për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje e në veprimtarinë e asambleve e administratave vendore, për integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Ai bëri thirrje që administratat vendore të qëndrojnë gjithnjë e më larg ndikimeve politike.
Sipas Bashës nuk mund të ketë përsosmëri të shërbimeve ndaj komunitetit, biznesit, sipërmarrjeve si dhe financime infrastrukturore, shkolla, çerdhe etj, pa një administratë të sinqertë dhe pa influencë politike.
“Ne po përpiqemi të kthejmë vëmendjen e administratave tona ndaj qytetarëve e interesave të tyre. Ne jemi të bindur dhe më se të qartë, e të vendosur që t’i mbajmë administratat tona sa më larg influencave e vorbullave politike, jo vetëm kaq por të kemi sintoni maksimale me të gjithë aktorët politikë në këshillat tanë dhe më gjerë, në faktorë e promotorë të zhvillimit, të konsolidimit të shërbimeve, të uljes së barrës fiskale e nxitjes së biznesit e sipërmarrjes private, përmirësimit të infrastrukturës, shkollave, çerdheve, mënyrës e nivelit të tyre të jetesës. Në këto objektiva madhorë, në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të madhe në Tiranë, Korçë, në Durrës e Shkodër, në Kukës e Sarandë e kudo në Shqipëri, siç kemi për detyrë të kthejmë në energji pozitive bashkëpunimin ndërmjet nesh, po kaq primordiale është edhe bashkëpunimi e koordinimi i përpjekjeve tona, për më shumë autoritet fiskal e pushtet administrativ, për pasuri më të konsoliduara lokale, për shpejtësi më të madhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve, ne do të kërkojmë dhe mirëpresim deklarimet e qarta të qeverisë shqiptare, për bashkëpunim real, intensiv e efektiv me të zgjedhurit vendorë, të pa influencuar nga ngjyra politike e përkatësia gjinore, gjendja ekonomike e pozicionimi territorial. E që të jemi në lartësinë e kësaj imperative, pa dyshim që në cilësinë tonë si kryetarë bashkish, duhet të jemi të bashkuar, të kemi një persistencë e artikulacion maksimalisht të performuar të kërkesave tona, që mund të na i sigurojë një shoqatë që funksionon mirë dhe si një e tërë”, tha më tej kryebashkiaku Basha.
Si ish-ministër i Jashtëm, ai solli në vëmendje se “shtyllat që ndërtuan Europën e Bashkuar apo familjen e madhe të Këshillit të Europës, krahas respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut, krahas lirisë ekonomike e tregut të lirë do të rendisja pa frikë, bashkëpunimin si një çelës të artë të kohezionit social, kombëtar e evropian”.