Miqësoret, në Dortmund beteja Gjermani-Itali
TIRANE-Skuadrat e mëdha të futbollit botëror do të zbresin sot në fushën e lojës, në ndeshjet miqësore të ekipeve kombëtare. Sfida si Gjermani-Itali, Francë-Brazil, Argjentinë-Portugali apo Spanjë-Kolumbi, premtojnë se mesjava do të jetë e mbushur emocione. Vëmendja e të gjithëve do të jetë në Dortmund, aty ku përballen dy ekipet që kanë fituar më shumë trofe në Evropë, Gjermania dhe Italia. Bëhet fjalë për një përsëritje të gjysmëfinales së vitit 2006, kur të kaltërit e Marçelo Lipit fituan 2-0 pas kohës shtesë, duke siguruar vajtjen në finale. "Gjysmëfinalen e vitit 2006 e kam parë në grumbullim më Fiorentinën, - tha trajneri Çezare Prandeli. - Këtë herë pres në fushë personalitet. Gjermania ishte një nga zbulimet e Botërorit, por nuk kam shumë frikë". Për Bufon, ajo ndeshje e 4 korrikut 2006 është e paharrueshme. "Ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, ishte revanshi ynë sportiv. Ishte një revansh për emigrantët në Gjermani dhe për futbollin tonë", deklaroi Bufon. Dy skuadrat megjithatë kanë ndryshuar shumë nga Botërori 2006. "Ata vijnë në këtë sfidë me sigurinë që u kanë dhënë rezultatet e mira, ndërsa ne kemi ndryshuar trajner dhe identitet. Nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë stimuluese", tha portieri italian.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)