Rajs: SHBA dhe BE bashkë kundër vendimeve fatkeqe të Rusisë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, i ka bërë thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që t’i bëjnë ballë Moskës dhe vendimeve fatkeqe të saj. Sipas sekretares amerikane, vendimi për të pushtuar Gjeorgjinë e ka lënë Rusinë pa miq në komunitetin ndërkombëtar. Rajs e quajti keqtrajtim sjelljes ruse, e cila po karakterizon marrëdhëniet e Rusisë me ish-vendet e Bashkimit Sovjetik. “Sjelljet e Rusisë, brenda dhe jashtë e kanë sjellë këtë vend në një situatë vetizolimi dhe moskokëçarjeje ndërkombëtare. Viteve të fundit Rusia ka bërë veprime kundër fqinjëve të saj, kryesisht nën nivelin e sjelljeve të një fuqie të madhe, siç mund të ketë qenë Rusia. Ajo që është më shqetësuese në veprimet e Rusisë, është fakti se ajo ka hyrë në një situatë veprimesh edhe më të përkeqësuara në vitet e fundit. E kam fjalën, midis tjerash, edhe për presionin që Rusia u bën fqinjëve sovranë, për shfrytëzimin e naftës dhe gazit si armë politike, për pezullimin e njëanshëm të Traktatit për Forcat Konvencionale në Evropë, për kërcënimet e saj ndaj vendeve paqësore me armë bërthamore, për shitjen e armatimit në vendet dhe grupet që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe për persekutimin e gazetarëve dhe disidentëve rusë”, tha Rajs. Analistët vlerësojnë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, që prej shpërthimit të luftës në Gjeorgji, janë të ftohta. Rajs tha se bota u angazhua për të ndihmuar rindërtimin e Gjeorgjisë pas pushtimit rus, Moska është detyruar të kënaqet me mbështetjen që ka marrë nga faktorët më trivialë ndërkombëtare: Nikaragua dhe grupi palestinez Hamas. “Rusia ka gjetur pak mbështetje për veprimet e saj. Përshëndetjet nga presidenti i Nikaraguas, Daniel Otega dhe nga Hamas nuk mund të quhen triumfe diplomatike”, përfundoi Rajs.