E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë e neveritshëm të Hungarisë

Ekstremistët e djathtë po ndjellin urrejtje kundrejt romëve, hebrenjve dhe intelektualëve-ndërsa në zgjedhje po shënojnë rezultate rekorde: Hungaria, kryesuesja aktuale e BE-së, po lë gojëhapur fqinjët dhe partnerët me shovinizmin e saj të ri. Duartrokitjet po vijnë nga Gjermania-nga ana e ekstremistëve të djathtë. Nga Express më 19 maj 2011 në ora 08:23

Meshkuj të rinj në uniforma, pjesërisht uniforma origjinale nga koha e Luftës së Dytë Botërore, marshojnë nëpër pyll. Helmetat që kanë vendosur në kokë u ngjasojnë atyre të ushtrisë naziste gjermane.

Pamjet duket se nuk kanë vend në Evropën e sotme. Por, ajo që ndodh këtu çdo vit në Hungari, i ngjason një rilindjeje të veçantë: neo-nazistët nga e gjithë Evropa edhe këtë vit janë tubuar në afërsi të Budapestit.

Me marshin gjatë natës, i cili vazhdon për 60 kilometra, ata dëshirojnë të kujtojnë largimin e njësive të fundit gjermane dhe hungareze nga Budapesti i rrethuar, në shkurt të vitit 1945. Por, në vend se të dorëzohen, gjatë ditëve të fundit të luftës, këto njësi, me urdhrin e gjeneralit Karl Wildenbruch sërish u angazhuan në betejën që moti të humbur, me ç’rast u vranë mijëra prej tyre.

Kjo katastrofë ishte një dëshmi shtesë për bindjet fanatike të ushtarëve të “Rajhut të Tretë”, bindje këto të cilat e vazhduan luftën dhe shtuan numrin e viktimave në fazat e fundit të luftës. Për pjesëmarrësit në marsh, ushtarët pikërisht për këtë arsye janë heronj.
Edhe për shkak të manifestimeve të këtilla, Hungaria për momentin nuk po gëzon një imazh aspak pozitiv, por ndryshe situatën e shesh revista “Vullnetarët”. Revista u themelua nga ish-pjesëtarë të njësive SS.

Sikur edhe në shumë shtete të bllokut lindor, edhe në Hungari përballja me epokën e socializmit ka rezultuar me ringjalljen e rrymave ultra-nacionaliste.

Kushtetuta e re e vendit ka tipare nacionaliste, akuzohet qeveria e djathtë e Hungarisë, e cila me ligjin e ri për medie po e rrezikon edhe lirinë e shtypit.

Në vend po veprojnë haptazi njësi paramilitare, të cilat po ndjellin urrejtje kundër romëve, hebrenjve dhe intelektualëve. Gjithnjë e më shumë po raportohet për raste të sulmeve të dhunshme. Por, ekzistojnë edhe miq të kësaj “Hungarie të re”, e cila ka lënë gojëhapur Evropën: e djathta gjermane.

Kur radikalët e djathtë në radhët e partisë Jobbik fituan 17 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare në vitin 2010, duke e forcuar edhe më shumë taborin e djathtë fitimtar neo-konservator të Viktor Orbanit, kryetari i partisë së djathtë gjermane, NDP, Udo Voigt, uroi “miqtë e tij të dashur hungarezë”. Qysh më herët, Budapesti ishte skenë e koordinimit të përpjekjeve mes forcave nacionaliste: në vitin 2009 aty u formua “Aleanca e Lëvizjeve Kombëtare të Evropës”, në themelimin e së cilës Jobbik luajti një rol të rëndësishëm.

Mysafirët nga Gjermania janë gjithmonë në numër të madh, gjatë marshit vjetor për të nderuar aleatët nacional-socialistë, të cilët luftuan në Budapest.

Në forumet e tyre në internet, mysafirët nga Gjermania flasin me ngazëllim për “mbrojtjen e interesave të përbashkëta dhe për bashkëpunimin mes forcave kombëtare”.
Edhe ringjallja e miteve kombëtare të hungarezëve po përshëndetet nga ekstremistët e djathtë gjermanë.

Kritikët e politikës hungareze, si shkencëtarja Magdalena Marsovszky, në nënvizimin e atdheut shohin tipare të qarta të nacionalizmit kombëtar. Ngase politika e re nuk orientohet në territorin shtetëror, por në kombin si të tillë dhe sipas qëndrimit të nacionalistëve, hungarezët shtrihen shumë përtej kufijve shtetërorë.

Në qendër të propagandës nacionaliste janë ende humbjet e territoreve, të cilat i përjetoi Hungaria pas humbjes së saj në Luftën e Parë Botërore. Dëshira për të reviduar vendimet pas përfundimit të Luftës së Parë e përcaktoi më vonë edhe aleancën e Hungarisë me Gjermaninë naziste dhe ajo ndërlidh taborët e djathta të të dy vendeve edhe sot e asaj dite.

Por kjo aleancë sërish pati për pasojë shembjen edhe më të madhe të Hungarisë. Pas humbjes së Gjermanisë, goditje pësoi edhe projekti i “Hungarisë së Madhe” dhe zgjerimi i territoreve të vendit nuk ishte më i vlefshëm, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›