E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet universiteti veror, studentë edhe nga Maqedonia e Mali i Zi

Në Shkodër u hap sot shkolla verore pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi", me një grup studentësh të rajonit verior të Shqipërisë, si dhe nga Mali i Zi e Maqedonia.

Programi i kësaj shkolle zgjat tri javë, nga të cilat dy do të zhvillohen në Shkodër dhe një në Mal të Zi. Çështja kryesore që do të trajtohet në leksione është “Trajnimi i studentëve në fushën e ekoturizmit”.

Drejtori ekzekutiv i kësaj shkolle, prof. dr. Mahir Hoti, tha për ATSH-në se për dy javët që zhvillohen në Shkodër, projekti i universitetit veror do të financohet nga donatorët - pjesë e biznesit të Shkodrës, por edhe me pagesa modeste nga vetë studentët. Ndërsa java e qëndrimit në Podgoricë është planifikuar të financohet nga Ministria e Pakicave në Malin e Zi.

Me rastin e hapjes së shkollës, dje paradite u organizua një ceremoni ku morën pjesë pedagogët dhe studentët që do ta frekuentojnë atë, si dhe intelektualë shkodranë të fushave të ndryshme.

“Ajo që presim nga kjo shkollë është aftësimi i aplikantëve në hartimin e miniprojekteve dhe ngritjen e agjencive turistike. Në mbyllje të tri javëve studentët do të pajisen me certifikatë”, - tha drejtori ekzekutiv, Hoti. Sipas tij, e veçanta e kësaj shkolle është se ekoturizmi, si lloji kryesor i turizmit, ka një rol domethënës për rajonin e Shkodrës dhe të Malit të Zi, prandaj edhe pjesëmarrësit janë studentë të Turizmit, Gjeografisë dhe të Biologjisë.

Ndër 25 studentët pjesëmarrës, tre vijnë nga Mali i Zi dhe tre nga Maqedonia. Leksionet e para që filluan po sot, i mbajti prof. as. dr. Dhimitër Doka.

Mes temave janë dhe "Turizmi ujor në Shqipëri", "Metodika e evidentimit të potencialeve turistike", "Infrastruktura e përshtatshme në zhvillimin e ekoturizmit", "Përgatitja e miniprojekteve për vlerësimin dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm" etj.

Dy javët e para leksionet do të mbahen tërësisht në Shkodër, ndërsa java e tretë, deri ditën e mbylljes më 13 shtator, do të zhvillohet në Podgoricë. Për të realizuar këtë projekt janë angazhuar pedagogë të fushave përkatëse nga Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Podgoricës. Programi parashikon edhe ekskursione, takime pune dhe veprimtari praktike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›