E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen mandatet e Dibrës, debate për kandidatin demokrat

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në unanimitet paraditen e djeshme vendimin për shpërndarjen e mandateve dhe shpalljen e kandidatëve fitues në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, për Qarkun Dibër. Por pavarëisht dakordësisë mes anëtarëve, përfaqësuesi i socialistëve në KQZ, Genci Gjonçaj ngriti si shqetësim vlefshmërinë e mandateve të deputetëve në rastet kur kandidatët fitues në zgjedhje nuk janë dorëhequr nga postet që mbajnë në strukturat e pushtetit vendor. Gjonçaj shprehu shqetësim për rastin e kandidatit fitues të PD-së, në këtë qark, Bedri Hoxha. Gjonçaj tha se mandati i Hoxhës është i pavlefshëm, pasi ende nuk është dorëhequr nga posti i tij si kryetar i bashkisë së Klosit. “Në zbatim të dispozitës kushtetuese personat që nuk kanë dhënë dorëheqje në momentin e kandidimit nuk mund të përfitojnë mandate në Kuvend dhe në këtë rast mandati i z. Hoxha është i pavlefshëm”, - u shpreh Gjonçaj. Në përgjigje të këtij shqetësimi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se mandatin kandidati për deputet e fiton bazuar mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe kur shkon në Kuvendin e Shqipërisë atje ka procedura të tjera që bëjnë verifikimin e mandatit. Në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet asnjë mundësi që institucioni i KQZ-së të vendosë për një çështje të tillë. Por nënkryetarja, Dëshira Subashi pohoi se KQZ duhet ta kishte bërë këtë verifikim që në momentin e miratimit të listave të kandidatëve por tashmë kjo fazë është mbyllur dhe e vetmja mundësi është ajo e verifikimit nga ana e Komisionit të Mandateve në Parlament. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, konfirmoi se kandidati fitues, Bedri Hoxha është i mandatuari i tretë i PD-së në listën e deputetëve të Dibrës, ndërsa nënvizoi se “Hoxha ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në kohë, përfshi këtu dhe dorëheqjen nga posti drejtues në bashkinë e Klosit”. Sipas vendimit të KQZ-së, për koalicionin zgjedhor “Aleanca e Ndryshimit” për Qarkun Dibër, PD merr 4 mandate, ndërsa shpallen fitues nga lista shumëemërore e PD-së për këtë Qark, kandidatët Jemin Gjana, Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha dhe Selami Xhepa. Ndërkohë, për koalicionin “Bashkimi për Ndryshim” për Qarkun Dibër, PS merr 2 mandate, ndërsa shpallen kandidatë fitues Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi. Në zgjedhjet e 28 qershorit në qarkun Dibër figuronin 122.287 votues, ndërsa funksionuan 314 qendra votimi të grupuara në 3 KZAZ.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›