E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do ta lë përgjysmë betejën e nisur

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zgjedhjet

Qeveria Meta-Berisha është qeveria e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore. Kështu pohoi dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një tjetër reagim kundër marrëveshjes mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Sipas tij Metën dhe Berishën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, gënjeshtrës apo mllefit. Ai pohoi se kjo marrëveshje ka pasur pikërisht si synim shkurajimin e PS-së lidhur me kërkesat e saj për mandatin e nëntë në Fier apo dhe për zona të tjera. Rama paralajmëroi dhe protesta ndërsa u bëri thirrje Metës dhe Berishës mos e prekin mandatin e Fierit. Kryesocialisti theksoi se nuk do ta lerë përgjysmë betejën e nisur dhe se Partia Socialiste bëhet përditë e më e fortë nga sulmet kundër saj.
Deklarata
“Pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të 9-të në Fier, të mandatit të 5-të në Berat, e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde, nga ku po del një qeveri e cila quhet e integrimit evropian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore, në dëm të lirisë e demokracisë së vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, - tha dje Rama. Sipas tij, Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. Ata, sipas Ramës, janë sot shëmbëlltyra vetë-demaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë, kundër ndryshimit të vërtet dhe kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste. “Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë sot dy fytyrat e së njëjtës gënjeshtër që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara, po mundohen të vrasin me një gur dy zogj, të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë Partinë Socialiste”, - tha ai. Por sipas kreut të selisë rozë ata nuk do të arrijnë asnjë prej këtyre synimeve pavarësisht bashkëpunimit apo ngjashmërisë mes tyre e cila po bind përditë e më shumë shqiptarët se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre. “Duke përbuzur shpifjet e diversionet e të dyve bashkë dhe duke e i siguruar që të dy se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që as kam ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë”, - deklaroi më tej ai. Rama u ka bërë thirrje atyre mos prekin mandatin e Fierit sepse do të përballen, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye. Sepse vërtetë koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”, - përfundoi Rama.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›