E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS ankesë për Fierin, shtyhet shqyrtimi

Autori i Lajmit: Suela Topi
Vendimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyn shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për qarkun e Fierit. Paraqitja e një kërkese ankimore po për këtë qark nga Partia Demokratike ka qenë shkaku një vendimi të tillë i cili kaloi vetëm pas debateve. Përfaqësuesi i socialistëve në KQZ, Genci Gjonçaj kundërshtoi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së tyre me arsyetimin se pavarëisht nëse kishte kërkesa të tjera ankimore po me të njëjtin objekt, ato mund ti bashkëngjiteshin këtij shqyrtimi edhe gjatë procesit. I njëjti argument u mbështet dhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi por përfaqësuesit e PD-së në KQZ, Ivi Kaso dhe Oert Bylykbashi thanë se neni 132 parashikon që kërkesa ankimore duhet të shqyrtohet vetëm 24 orë pas paraqitjes dhe meqenëse kërkesa e tyre kishte pika të përbashkëta me atë të PS-së të dyja ato duhet të shqyrtoheshin sot. Pas diskutimeve me 4 vota pro dhe 3 kundër u vendos bashkimi i kërkesave ankimore të PS-së dhe PD-së për Fierin dhe po me aq vota u vendos dhe shtyrja e diskutimit të tyre për sot në orën 10. Po dje KQZ pranoi dhe ankesat e PD-së për qarkun e Lezhës ndërsa ktheu për plotësim kërkesën e kandidatit të pavarur, Abdulla Omuri i cili kërkonte rinumërim të votave në KZAZ-në nr. 56 në Tiranë.
Diskutimi
Mbledhja e djeshme e KQZ-së ka nisur me shqyrtimin e kërkesave ankimore. Mes disa kërkesave ishte dhe ajo e Partisë Demokratike e cila ashtu si dhe Partia Socialiste kërkon rivlerësim të fletëve të votimit në 2 qendra votimit të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor nr. 20 në Fier si dhe kundërshton vendimin e KQZ-së lidhur me tabelën përmbledhëse të rezultateve të këtij qarku. Duke parë pikat e përbashkëta të kërkesave, përfaqësuesi i demokratëve në KQZ, Ivi Kaso propozoi që këto kërkesa të shqyrtohen bashkë dhe për këtë qëllim të shtyhej diskutimi i tyre. “Kërkesa jonë dhe ajo e PS-së ka pika të përbashkëta prandaj mendoj se duhet bashkimi i tyre dhe shtyrja e shqyrtimit për në një moment tjetër”, - tha Kaso. Sipas tij procedimi në një moment të dytë është për faktin se edhe dje ishte afati ligjor për pranimin e kërkesave ankimore lidhur me këtë çështje. Por kërkesa e përfaqësuesve demokratë u duk e pavend për përfaqësuesin e PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj i cili pohoi se një kërkesë e re ankimore me të njëjtin objekt mund të bëhet pjesë e diskutimit edhe gjatë shqyrtimit të një tjetër ankese me të njëjtin objekt. Përfaqësuesi tjetër i socialistëve, Eno Bushi sqaroi më tej se në bazë të nenit 132 kërkesa e PD-së nuk mund të pranohej. “Fillimisht të niste shqyrtimi. Bashkimi që kërkohet mund të bëhej në seancë. Në mënyrë ekstraproceduriale po kërkohet të bëhen shtyrje të panevojshme. Neni 132 thotë përpara ose gjatë shqyrtimit”, - tha ai. Argumentet e tij janë mbështetur dhe nga nënkryetarja, Subashi e cila ritheksoi se neni 132 lejon shqyrtimin dhe bashkimin e kërkesave para por edhe gjatë shqyrtimit. “Kërkesa e PS-së ka në objektin e saj numërimin e disa QV-ve dhe një kërkese tjetër përfshirjen në tabelën e dy QV-ve që janë numëruar po nuk janë përfshirë. Unë besoj se kemi hapësirën ligjore të fillojmë shqyrtimin me ato kërkesa që janë bërë dhe më pas gjatë shqyrtimit bëjmë bashkimin”, - tha ajo. Por anëtarët e KQZ-së, Klement Zguri dhe Hysen Osmanaj kundërshtuan këtë propozim duke pohuar se KQZ vendos për procesin e gjykimit edhe kur çmohet se zhvillimi i një kërkese nuk duhet të paragjykojë të tjerat. “Prandaj jam për tu bashkuar dhe për tu lënë në një moment tjetër”, - tha ai. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani sqaroi më tej se kërkesat e PD-së dhe PS-së kundërshtojnë vendimin e ndërmjetëm të KZAZ-ve nr. 19 dhe nr. 20. “Të dyja po ashtu kërkojnë dhe ndryshimin e vendimit të KQZ-së për tabelën përmbledhëse të rezultatit dhe duke qenë të tilla të dyja ankesat nuk ka dyshim që duhen shqyrtuar bashkarisht. Jemi në një mendje se duhen shqyrtuar bashkarisht”. Pas diskutimeve me 4 vota pro dhe 3 kundër u ra dakord që të dyja kërkesat të shqyrtohen së bashku dhe për më tepër të shtyhet për sot shqyrtimi i tyre. Edhe për këtë propozim 3 anëtarët e komisionit Subashi, Laze dhe Varfi ishin kundër.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›