E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i ujit, produkte të falsifikuara

Tregu i ujit të pijshëm në Tiranë është i mbushur me produkte të falsifikuara. Prodhuesit e licensuar të këtij produkti si rastet e kompanive Ferra dhe Thethi thonë se produkti i tyre e ka të vështirë të futet në treg pikërisht për shkak të shumë prodhuesve të vegjël që punojnë në të zezë.

"Ne dalim vetë kontrollojmë dhe gjejmë që mbledhin njerëzit bidona, i mbushin në burime të rastit dhe i shesin me cmim të ulët. Atëherë, një makineri të posacme që kemi blerë bën këtë element sigurie. Në këtë mënyrë kam arritur të mënjanoj falsifikimet", thotë Brunilda Ferra, prodhues i ujit.

"Problemi jonë është tregu, ka firma të vogla, tregtarë të vegjël që prodhojnë jashtë standardeve, pa teknologji, në mënyrë pirate. Shkojnë deri në mbushjen e amballazhit me zorrë", shprehet një tjetër prodhues i ujit, Musli Mustafaraj.

Dhjetëra subjekte të vogla që mbushin e tregtojnë uji jashtë cdo standarti dëmtojnë jo vetëm konsumatorin por duke aplikuar cmime të ulta zënë padrejtësisht tregun e produktit të licensuar.

"Në qoftë se ekzistojnë ndërmarrje të tjera, të cilat nuk më takon mua të them, po enteve përkatëse ti kontrollojnë, puna është se ato nuk duhet të dalin me cmime të ulëta. Pra, duhet të zbatohet ligjshmëria, konkurrencë e drejtë", vijon Ferra.

"Të gjitha proceset kalojnë në ultra violetë, për ngrodhjen e mikrobeve. Ujit nuk i bëhet asnjë lloj përpunimi, duke plotësuar standardin shqiptar", tha Mustafaraj

Vetëm pak ditë më parë autoritetet e ushqimit bllokuan katër subjekte të vegjël të ujit në kryeqytet. Por prodhuesit e licensuar thonë se subjekte të ngjashme me ata të bllokuara ka edhe dhjetëra të tjerë, produkti i të cilëve është jashtë cdo standarti.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›