Një 14-vjeçare gjendet e përdhunuar në qytetin e Kavajës
Kavajë - Një vajzë në moshën vetëm 14-vjeçare është bërë objekt i dhunës seksuale pasi një djalë i ri ka abuzuar me të duke kryer marrëdhënie me të. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Kavajës, kurse sot policia njoftoi arrestimin e një të dyshuari.
Paris Sula, 18 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, është arrestuar pasi dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën D. H., 14 vjeçe, edhe ajo banuese në qytetin e Kavajës. Policia nuk dha hollësi lidhur me ngjarjen. Burime nga grupi hetimor, bënë të ditur se bëhet fjalë për një denoncim të ardhur nga prindërit e vajzës së mitur D. H., të cilët së bashku me të voglën i janë drejtuar Komisariatit të Policisë në Kavajë, ku kanë bërë kallëzimin penal ndaj 18-vjeçarit Paris Sula. Denoncimi informonte se i dyshuari Paris Sula ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e vogël, e cila besohet se më herët, është mashtruar nga i riu për t’u tërhequr në drejtim të objektivit të tij. Ligji shqiptar parashikon se moshat deri në 18 vjeç nuk mund të kenë raporte seksuale. Kodi Penal dënon jo vetëm përdhunimet e këtyre grupmoshave, por edhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur deri në moshën 18 vjeç, duke dhënë dënime deri në 20 vjet burgim. Në Shqipëri, megjithatë, vitet e fundit vërehet një përhapje e gjerë jo vetëm e përdhunimit të të miturve të të dyja sekseve, por edhe marrëdhëniet seksuale me të mitur, pa elemente dhune. Sondazhet e organizatave jofitimprurëse në dobi të grave dhe të vajzave me probleme sociale kanë treguar se jo më pak se 50 për qind e moshave nga 16 deri 18 vjeç kryejnë marrëdhënie seksuale, pavarësisht moshës së mitur.
Vdekja misterioze e adoleshentit në Shkollën Pedagogjike në Peshkopi
Peshkopi - Vdekje mister në konviktin e Shkollës Pedagogjike në Peshkopi. Një adoleshent është gjetur i pajetë në dhomën e tij të konviktit. Burimet nga policia e Peshkopisë thanë për agjencinë “NOA” se D. I., 16 vjeç është gjetur i vdekur në dhomën e tij nga shokët, në momentin kur ata kanë shkuar pas mësimit. Motivet dhe mënyra e vdekjes së adoleshentit janë ende të paqarta për uniformat blu. Policia ka shkuar në zonë dhe po heton shkaqet e vdekjes së të riut, si dhe ka bërë bllokimin e dhomës dhe të sendeve të tij personale. Efektivët e policisë janë duke marrë në pyetje bashkëmoshatarë të tij dhe njerëz që e njihnin, për të zbuluar shkaqet e mundshme që e kanë çuar 16 - vjeçarin të ndërmarrë veprimin e vetëflijimit.
31 Tetor 2008