Miratohet fondi për qendrën
KORÇE - Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi buxhetin për konkursin e projektimit të qendrës së qytetit. Sipas vendimit të miratuar në unanimitet në mbledhjen e fundit, janë vënë në dispozicion 20 milionë lekë. Në relacionin e paraqitur nga drejtoria e financës ishin dhënë të specifikuara të gjitha shpenzimet e këtij buxheti. Këshilltarët kanë diskutuar gjatë rreth tyre, duke bërë edhe vërejtje e sugjerime dhe së fundi vendosën, që shuma totale të qëndronte aq sa u paraqit nga ekzekutivi. Detyra e projektimit dhe platforma e konkursit përmbajnë përshkrimin e zonës së qendrës, të zonave në afërsi të saj, një historik të shkurtër të zhvillimit të sheshit, trashëgimia kulture e tij, etj. Gjatë diskutimeve është kërkuar që projektuesit të parashikojnë rigjenerimin e zonës, ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë kulturore, përmirësimin e hapësirës, sigurinë e lëvizjes së këmbësorëve në këtë territor, etj. j.gj