Padi policisë për dëmtimin e imazhit
TIRANE – Një person i liruar nga gjykata që e konsideroi arrestimin e tij të paligjshëm, do të padisë policinë për dëmtim imazhi. Ajet Elezi, 63 vjeç, nga Durrësi, i cili u arrestua pak ditë më parë, është lënë i lirë nga Gjykata e Kavajës, e cila e konsideroi të paligjshme burgosjen e tij. Vendimi i gjykatës për lirimin e 63-vjeçarit është dhënë tri ditë pas mbajtjes së tij në qelitë e izolimit. Pas arrestimit të Ajet Elezit, policia bëri publik një njoftim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje, i cili u pasqyrua publikisht duke e konsideruar të moshuarin si person të dyshuar për dhjetëra mashtrime me pronat në Durrës. Pas lirimit të Elezit nga gjykata, avokatët e tij kanë pohuar se do të padisin policinë për publikimin e padrejtë të të dhënave të klientit të tyre, duke pohuar se në këtë rast policia ka shkelur prezumimin e pafajësisë, parashikuar edhe në Kushtetutën e vendit. Gjykata e Kavajës urdhëroi dje lirimin e të arrestuarit në sallën e gjyqit, duke hedhur poshtë pretendimet e policisë dhe prokurorisë. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës thuhet se Ajet Ruzi, 63 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim policor pasi dyshohet për mashtrim të kryer në bashkëpunim.