Plumba në mes të lokalit,plagoset polici dibran
DURRES / OERD ULQINI
Një sherr krejt banal ka degjeneruar brenda pak minutash në një atentat me armë zjarri. Vlash Ashiku 27 vjeç, efektiv policie në Dibër dhe bashkëmoshatari i tij Sehad Muda janë goditur nga plumbat e një pistolete “TT”, të cilat janë qëlluar nga një i panjohur në gjaknxehtësi e sipër. Polici ka marrë një plumb në kofshë, ndërsa miku i tij Muda është goditur në kavilje. Që të dy janë shtruar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, ku me t’u ndaluar hemorragjia mjekët kanë deklaruar se “janë jashtë rrezikut për jetën”. Policia ka nisur hetimet mbi atentatorin, ndërsa pohoi se motivet nuk kanë të bëjnë me detyrën si polic të Ashikut, por thjesht me një sherr të provokuar dhe nxitur nga avujt e alkoolit. Agresori është një kontingjent policie, i moshës 25-30 vjeç, por blutë e Durrësit ndonëse e kanë identifikuar nuk publikojnë emrin për të mos rrezikuar kapjen e tij. Gjithçka ka nisur në një lokal të lagjes 17 të Durrësit, të ndodhur mes murit të zjarrfikësve dhe shkollës 9 vjeçare “29 Nëntori”. Burimet policore konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në orën 17:20, kur Vlash Ashiku dhe Sehad Muda kanë nisur të debatojnë me një person të vetmuar që rrinte në tavolinën ngjitur. Që të tre kishin konsumuar shumë alkool dhe sherri ka nisur për motive banale. Fillimisht janë përdorur shprehjet “Pse më sheh shtrembër?”, “A më njeh mua se kush jam!” e të tjera si këto. Më pas është kaluar në sharjet reciproke, ku atentatori duke u ndjerë në inferioritet numerik ka gjetur mbrojtjen tek arma e zjarrit që e fshihte pa leje në brez. Si kundërpërgjigje e sharjeve ai nuk ka duruar më, duke shkrehur mbi policin dhe mikun e tij plumbat kalibër 7.62 mm. Policia ka bindjen se qëllimi i agresorit nuk ka qenë ekzekutimi por sprapsja ose plagosja e dy dibranëve, pasi janë shënjestruar vetëm gjymtyrët e poshtme të tyre. Me të zbrazur pistoletën durrsaku, duke e njohur mirë terrenin, ka marrë arratinë në mes të lagjeve periferike. Falë dëshmitarëve ai është identifikuar dhe vazhdon aksioni për kapjen e tij. Ngjarja ka ndodhur në një lokal të mbushur plot me klientë dhe policia ka marrë disa dëshmitarë në pyetje për të zbardhur krejtësisht dinamikën e atentatit. Mësohet se polici Vlash Ashiku kishte ardhur në Durrës, duke shfrytëzuar pushimin e Pashkëve për të takuar Sehad Mudën, mikun e tij të vjetër, i cili prej dy muajsh jetonte këtu me qira. Polici ishte i paarmatosur dhe i veshur civil, pasi për të ishte një ditë e lirë nga shërbimi. Hetuesit tashmë janë në mbledhje të fakteve të reja dhe nuk kanë bërë akoma të ditur se cila nga palët nisi e para sherrin.