E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet komisioni për zgjedhjet

01/04/2005  Konferenca kryetarëve të grupeve parlamentare ka vendosur dje ngritjen dhe miratimin komisionit të posaçëm, që do të monitorojë mbarëvajtjen e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme. Kryetarët kanë diskutuar dhe pranuar në parim për ngritjen e këtij komisioni, ndërkohë që për datën e fillimit të punës së tij do të vendosë Kuvendi, pasi deputetët të diskutojnë në seancë. Burime nga mbledhja e kryetarëve shprehen se kryetarët kanë rënë dakord që Sokol Olldashi dhe Elmaz Sherifi të jenë dy kryetarët, që do të drejtojnë punën e tij. Komisioni i posaçëm parlamentar për zgjedhjet është një kërkesë e bërë nga opozita shqiptare, që erdhi pas debateve për procesin e regjistrimit të popullsisë. Sipas demokratëve, KQZ dhe qeveria po mundohen me çdo kusht të manipulojnë listat e zgjedhësve. Sipas saj, gjendja shfaqet më e rënduar në aksin Tiranë-Durrës, ku, sipas opozitës, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit ka përgatitur manipulimet më të mëdha. Kërkesa e opozitës u ripërsërit pas debatit që lindi nga dorëzimi i regjistrit kombëtar të zgjedhësve në MPVD nga kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi. Nga ana e saj, PD-ja e ka quajtur këtë një tentativë manipulimi nga ana e KQZ-së, pasi, sipas saj, në bazë të kodit të ri zgjedhor, regjistrimi i popullsisë i ka kaluar në kompentencë MPVD-së, dhe nga ky proces janë përjashtuar listat e përdorura në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Ndërkohë, komisioni i përbashkët për zgjedhjet do ketë si detyrë mbikëqyrjen dhe përgatitjet për këtë proces, që nga data e miratimit të tij dhe deri në ditën e votimit. Në përfundim të këtij procesi, ky komision do të përgatisë dhe raportin përkatës për procesin zgjedhor dhe do të shënojë në të problemet e hasura, të cilat do të lexohen më pas në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›