E Diel, 1 Nëntor 2026

PDR kërkon 6 zona elektorale, PD i jep 2 të sigurta

25/03/2005  Raundi i parë i bisedimeve, PD dhe PDR nuk bien dakord për bastionet

Bisedimet mes PD-së dhe PDR-së për formulën e koalicionit duket se kanë mbetur në vendnumëro, për shkak se palët nuk po bien dakord mbi numrin e zonave të lira që do t'i lihen PDR-së në rast koalicioni. Burime në PD shprehen se janë zhvilluar takime në rang teknicienësh, ku PDR-ja i ka kërkuar PD-së që t'i lerë 6 zona të lira, prej të cilave katër të jenë në bastionet e opozitës, ku fitorja është e sigurt. Të njëjtat burime shprehen se dy zona të tjera, reformatorët i kanë kërkuar në vende ku elektorati është i lëkundur, duke siguruar 6 mandate, ndërsa nuk është folur akoma për proporcionalin. Por demokratët duket se kanë pranuar propozimin në parim për lënien e zonave të lira, por kanë kundërshtuar numrin, që i është kërkuar për kandidatët reformatorë zona të sigurta. Burimet thonë për "Metropol" se demokratët i kanë ofruar reformatorëve 2 zona të lira në bastionet e tyre, dy të tjera në zonat ku elektorati është i lëkundur, por që pesha e fitores anon nga e djathta dhe dy zona të tjera, ku beteja elektorale do të zhvillohet e ashpër. Ndërkohë janë lënë të hapura bisedimet për formulën e proporcionalit. Të njëjtat burime shprehen se reformatorët pas propozimeve të PD-së janë tërhequr për të marrë një vendim tjetër. Në kërkesat e saj, PDR-ja ka menduar që nga koalicioni me PD-në të ketë të paktën katër deputetë të sigurtë. Burimet thanë se në listën e parë të reformatorëve janë Genc Pollo, Tritan Shehu, Ferdinant Xhaferri dhe Nard Ndoka. Ndërkohë, reformatorët shpresojnë që rreth katër deputetë të tjerë t'i marrin nga zonat e lëkundura dhe nga proporcionali. Por burimet thanë se demokratët janë të mendimit se thuajse të njëjtin numër deputetësh reformatorët mund ta marrin edhe në rast se pranojnë variantin e PD-së. Gjithsesi, burimet shprehen se bisedimet ende nuk janë mbyllur. Gjatë javës së ardhshme priten të tjera takime mes krerëve të dy partive të djathta në nivel parlamentar. Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, pranoi se deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim të ri lidhur me negociatat. Ndërsa burimet theksojnë se po shqyrtohen propozimet e PD-së për të negociuar sërish dhe për të rënë dakord më pas për një formulë të përbashkët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›