Serbishtja e Jahjagës, për konsum të brendshëm

Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës dhe sekretar i Përgjithshëm e Partisë Liberale Serbe (SLS), Petar Miletiq, ka komentuar fjalinë e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, të shqiptuar në gjuhën serbe kur ajo iu drejtua deputetëve dhe vendit menjëherë pas zgjedhjes, duke e cilësuar “për konsum të brendshëm”.
Miletiq i tha Radios KiM, në gjuhën serbe, se nga presidentja e porsazgjedhur Jahjaga pret të përfaqësojë interesat e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe se përfaqësuesit e komunitetit serb në Parlamentin e Kosovës përmes të gjitha mekanizmave do ta informojnë atë për problemet e kësaj bashkësie.
“Kjo presidente është një person i ri që nuk ka shumë përvojë në politikë, e cila vjen në politikë nga një profesion krejtësisht tjetër. Ne përmes të gjitha mekanizmave që kemi në dispozicion do t’ia shtrojmë problemet me të cilat përballet komuniteti serb si dhe përmes Zyrës këshillëdhënëse në kabinetin e saj ku kemi edhe përfaqësues tanë dhe përmes Kuvendit, Qeverisë, vetëqeverisjes lokale ... do të përpiqemi t’i ndihmojmë që sa më mirë të mbrojë interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, merret vesh para së gjithash interesat e komunitetit serb”, ka thënë Miletiq, transmeton KD.
Duke komentuar fjalinë në gjuhën serbe të shqiptuar në mesin e fjalimit të Atifete Jahjagës, se “Kosova është e pavarur, demokratike dhe shtet multietnik”, Miletiq tha se kjo ishte një mesazh për bashkësinë shqiptare.
“Për ne nuk ka rëndësi se në çfarë gjuhe e tha këtë. Ne e dimë se mesazhet e tilla, që i referohen pavarësisë së Kosovës, kryesisht janë për njëfarë konsumi të brendshëm dhe se kryesisht kanë të bëjnë me bashkësinë shqiptare. Dimë të vlerësojmë çfarë duhet të marrim seriozisht e çfarë jo”, ka thënë Miletiq.
Përveç kësaj fjalie, Jahjaga në fillim të fjalimit deputetët dhe mysafirët nga komuniteti ndërkombëtar i përshëndeti në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze dhe po ashtu në fund u falënderua po në këto gjuhë.