E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria, kërkon 23 vjet burg për Vasil Hilën

22/04/2005  Dënimi më i lehtë për sekretaren dhe nga një gjobë për inspektorët e KLSH

DURRËS - Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar gjykatës të dënojë

të arrestuarin Vasil Hila me 23 vjet heqje lirie, të akuzuarin kryesor për çështjen e skandalit në kthimin dhe kompensimin e pronave nga komisioni që ai ka drejtuar për disa vite. Ndërkohë, kjo masë e propozuar erdhi pas bashkimit të dënimeve, ndërsa për veprat penale që rëndonin mbi Hilën, prokuroria kishte kërkuar gjithsej 36 vjet burg.

Krahas dënimit për Hilën, organi i akuzës ka kërkuar që edhe sekretarja e komisionit, Anila Rrapi, të dënohet me 3 vite heqje lirie, ndërkohë që për të tre inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas ndryshimit të akuzës, është kërkuar dënimi me gjobë.

Qëndrimi mohues i Vasil Hilës, në të gjitha seancat e pyetjes dhe dëshmive të tij, i ka kushtuar kryetarit të komisionit dhe kthimit të pronave, të akuzohet për tre vepra të rënda penale. Neni i falsifikimit të dokumentacionit zyrtar, shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes, parashikonin 36 vite heqje lirie për Vasil Hilën, i akuzuar si shkaktari kryesor i masakrës në kompensimin dhe kthimin e pronave ish-pronarëve me pasoja të pariparueshme.

Gjatë leximit të materialit shkresor, të bërë nga prokurori Elezi, organi i akuzës e ka cilësuar fajtor dhe nisur nga bashkimi i neneve, ka kërkuar që trupi gjykues ta dënojë atë me 23 vite burg si dhe me një gjobë në shumën 5 milionë lekë.

Në seancën e djeshme, ku kanë qenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit e procesit ”Hila“ si dhe pala mbrojtëse, prokurorët kanë sjellë para gjykatës konkluzionet përfundimtare të realizuara gjatë hetimeve. Prokurori Elezi e ka cilësuar krimet, për të cilin akuzohet Hila, me pasoja të rrezikshme shoqërore. Sipas Elezit, Hila nuk ka pranuar asnjë nga akuzat dhe mospendesa duket se ka rënduar shumë pozicionin e tij.

Avokati i Hilës që në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë ka kërkuar që ish-kryetari i komisionit e kthimit të pronave, Vasil Hila, të gjykohej në gjendje të lirë ose i izoluar në banesë. Por ka qenë prokurori i çështjes, ai që e ka klasifikuar të arrestuarin Hila si person me rrezikshmëri shoqërore, ndërkohë që në kërkesën e tij për ta hetuar në gjendje arresti ka ndikuar edhe viza amerikane që kishte Hila, gjë që mund t’i krijonte atij mundësinë e largimit nga vendi.

Anila Rrapi, sekretare e komisionit, është gjykuar në gjendje të lirë dhe e përfaqësuar në seancat gjyqësore përmes avokatit. Në deklarimet e saj për punën e komisionit, ajo ka larguar të gjitha përgjegjësitë, duke ia kaluar fajësinë Hilës. Por prokurori Elezi i ka qëndruar akuzës ndaj saj për falsifikim formularësh në 192 raste, duke kërkuar që ajo të vuajë dënimin me burg në tre vite.

Ndërkohë, prokuroria ka zbutur akuzën për tre inspektorët e

KLSH, duke dhënë për ta dënimin me gjobë. Për Sërvet Gaba, Selman Hysaj u kërkua nga akuza gjobë në 600 mijë lekë dhe për Seit Spahiu gjobë në 300 mijë lekë. Ata janë penalizuar nga prokuroria vetëm për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”, duke u zhveshur nga akuza e “moskallëzimit të krimit”.

Vasil Hila

12 vjet burg

për falsifikim dokumentesh zyrtare si formularë, vula, stampa etj

15 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë

për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe dënim

9 vjet burg

për shpërdorim detyre

23 vjet burg

gjithsej, në bashkim të dënimeve

Anila Rrapi fajtore

3 vjet burg

për falsifikim formularësh

Sërvet Gaba

600 mijë lekë gjobë

për shpërdorim detyre

Selman Hysaj

600 mijë lekë gjobë

për shpërdorim detyre

Seit Spahiu

300 mijë lekë gjobë

për shpërdorim detyre

Akuza të reja për ish-kreun e komisoionit të pronave

Vasil Hila, së shpejti në një tjetër gjykim

DURRËS - Prokurorët Ferdinad Elezi si dhe Elena Bakëllbashi kanë

deklaruar dje në seancën e dhënies së pretencës se Vasil Hila do të dalë përsëri para togave të zeza për të tjera akuza. Ndërkohë që ata kanë kërkuar 23 vite burg për Hilën dhe gjobë 5 milionë lekë, Elezi është shprehur se pas gjykimit për këto akuza do të hapet një procedim tjetër.

Sipas tij, prokuroria ka përgatitur një dosje tjetër dhe bëhet fjalë për akuzën e mitmarrjes dhe pastrimit të parave. Nga deklarimi i prokurorit thuhet se vetëm Tomorr Kokomani është

kompensuar 17 herë, ndërkohë që komisioni i kryesuar prej tij ka lënë jashtë diskutimi më shumë se 900 ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë arkivuar në komision. Kjo i ka shërbyer prokurorisë të akuzojë për mitmarrje Vasil Hilën. Krahas këtij fakti edhe

deklarimi i Kokomanit, i cili do të gjykohet në seancë më vete për akuzën e falsifikimit, dhe pohimet e tij se ka bërë transfertë parash, e kanë shtyrë prokurorinë të fajësojë Hilën për pastrim parash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›