Miraton zonat e reja të zhvillimit në Farkë
Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje disa ndërhyrje të reja në Komunën e Farkës dhe në Selitë. Sipas projekteve, tashmë pritet që në këto zona periferike të kryeqytetit të ketë ndërtime të reja. Në zonën e Farkës priten ndërtime të reja, që do bëhen sipas planeve të rregullta urbanistike. Këtu pritet të ndërtohen pallate deri në 5 kate, të shoqëruara me gjelbërim dhe ambiente çlodhëse për banorët e zonës. Këto ndërtime janë parashikuar edhe në planin e zhvillimit të kësaj zone të miratuara nga KRRTRSH-ja. Tashmë pritet që kjo zonë të transformohet duke bërë që një numër i madh banorësh të jetojnë në këtë zonë. Sipas studimeve, duket se Tirana do të zgjerohet më tej drejt kësaj zone, e cila tashmë ka një plan të transformimit të saj në mënyrë të plotë. Duke iu referuar tendencave aktuale, zhvillimi i Tiranës po orientohet në dy drejtime kryesore, si densifikimi i qendrës së qytetit dhe zgjerimi i periferisë së qytetit nga krijimi i zonave të reja urbane. Nëse autoritetet qendrore dhe lokale do t’i paraprijnë zhvillimit me plane, strategji dhe investime konkrete, dyndja e popullsisë ne Tiranë do të balancohet tek shifra 50 për qind e popullsisë së vendit, në të kundërt në kryeqytet do të instalohen në mënyrë kaotike të paktën 2/3 e popullsisë së vendit. Duke parë këtë tendencë, duket se periferia e Tiranës tashmë do të jetë një zonë më e zhvilluar, duke bërë që atje të banojë një popullsi më e madhe se ajo sot. Kjo synon që, duke zgjidhur problemet e mprehta të infrastrukturës, të lehtësohet zgjidhja e çështjeve sociale, si varfëria, papunësia, strehimi etj.